“Shpresa-Al” nuk iu përgjigjet klientëve për pajisjet defektoze, në adresën e “Priza.al” ‘shpërthejnë’ ankesat e qytetarëve që ndjehen të mashtruar

“Priza.al” prej disa ditësh po publikon disa histori për probleme të ndryshme që i’u kanë ndodhur klientëve të kompanisë “Shpresa-Al”. Ndërkohë që këto dy ditë kemi zbardhur dëshmitë e klientit F.J., mbi blerjen e një laptopi të ri por që shumë shpejt i rezultoi defektoz, nga dje deri sot në adresat e rrjeteve sociale të redaksisë tonë kanë vërshuar dëshmi të tjera të qytetarëve për të njëjtat halle.

Nuk janë vetëm kompjuterat laptopë të markave të ndryshme, por edhe pajisje të tjera elektronike si celularë, aparate fotografikë apo edhe të tjera edhe më të shtrenjta të cilat edhe pse shiten për të reja dhe si produkte firmash të njohura, rezulton që janë skarco.

Klientë të ndryshëm ankohen sidomos për kompjuterat portabël (laptopët), por edhe celularët që janë dy nga pajisjet më të kërkuara sot për sot në tregun shqiptar. Momentalisht, kërkesa është rritur për këto pajisje edhe sepse jemi në fillim të sezonit të ri shkollor, ku mësimi on-line detyron më shumë nxënësit dhe studentët të blejnë pajisje të tilla.

Por, këtu qëndron edhe problemi. “Shpresa-Al” është e famshme për ofertat e herë pas hershme dhe reklamat e bujshme që bën në lidhje me pajisjet e ndryshme elektronike. Shumë prej tyre reklamohen sikur janë të markave më të famshme në botë , modele të viteve të fundit dhe çuditërisht me çmime goxha më të lira sesa janë jashtë nëpër botë.

Këtu qëndron dhe hileja. Shumë prej klientëve që janë ‘djegur’ me një herë të blerë pajisje te “Shpresa-Al” e kanë kuptuar qartë se nuk bëhet fjalë për pajisje origjinale. Sapo ty të defektohet një pajisje dhe kërkon që ta riparosh në bazë të garancisë që ke te servisi i “Shpresa-Al”, kompania nis të ‘kapërdihet’. “Shpresa-Al” nuk i leverdis të riparojë pajisjet të cilat i fut në tregun shqiptar me çmime për peshë dhe jo për copë, sepse i importon nga vende të cilat mbahen në botë për falsifikimin e pajisjeve elektronike më të njohura.

Vitet e fundit shumë klientë të “Shpresa-Al” kanë pasur probleme të shumta me aparatet celulare të blerë të rinj, dhe po ashtu me pajisje të tjera. Shumë prej tyre kanë shkuar menjëherë në dyert e serviseve të kompanisë, por në asnjë rast nuk kanë marrë shërbimin që iu premtohet në kontratë, edhe pse kanë qenë brenda garancive. Në disa raste klientët e pakënaqur e kanë çuar edhe në gjyq kompaninë “Shpresa-Al”. Por, kjo e fundit nga sa ka mësuar “Priza.al” duket se i ka mbyllur proceset gjyqësore me pagesë.

Por, edhe sikur kompania të pretendojë se pajisjet që tregton janë origjinale dhe vijnë nga markat më të famshme të botës, dëshmitë e klientëve, teknikëve të ndryshëm elektronikë dhe problemet e shumta ligjore tregojnë se kompania po iu shet shqiptarëve jo mallin për të cilin reklamon, apo dhe iu merr paratë.

Më poshtë ‘Priza.al’ po sjell një mori denoncimesh të qytetarëve të cilët i njëjti hall i ka bashkuar duke e blerë me para te dyqanet e “Shpresa-Al”.

Ja dëshmitë e klientëve të zhgënjyer të “Shpresa-Al” dërguar “Priza.al”

“Para disa vitesh bleva një iphone X te Shpresa-Al. Telefoni ishte në kuti dhe më thanë që ishte i ri. Kur nis ta përdor vura re që pajisja nxehej shumë shpejt dhe kur kontrolloj kapacitetin e baterisë të celularit të ri shoh që ishte 99% dhe jo 100% ashtu sikurse duhej të ishte. E çoj pajisjen te një miku im që punon në servis dhe pasi e kontrollon, më thotë që celulari ishte i hapur dhe dallohej te vidat që ishin të konsumuara. Dhe miqtë e mi të cilët kanë blerë të shpresa-al kanë pasur të njëjtin problem dhe telefonat që shiten për të rinj, realisht janë të përdorur”.

“Pershendetje kam heq dore qe kur ka dal iphone 5s 32 GB, 1 miljon e 200 mije lek atëherë, ne muajin e pare u prish fisha e karikimit, e rregulluan s’kaluan 2 jave e njejta gje. Kam bere nje sherr te madh per te mar leket mbrapsht sepse insistonin per tme dhen cel tjetër, gje qe nuk e doja. Edhe qe prej asaj kohe te gjith te afërmve te mi nuk ja keshilloj shpresën. Per cfare do lloj produkti qoftë edhe per nje klluf celi”.

“Sepse mora një telefon dhe mu dogj ekrani shum shpejt. Grancinë e kish per nje vit, po pasi kaloi nje vit pas dy muajsh u dogj”.

“Kam mar nje laptop dhe nje tv. Laptopi nam fare njëher, shum i ngathet e mora 400 mijë lekë, mora dhe tv 250. As 2 muaj u prish. Po prap më ka erdh shum inat kam shku tek dyqani dhe nuk mbanin garanci. Më thanë e ke thy vet kur ai skishte as shenja qe kishte ren asgje …ndersa per laptopin më thanë aq shpejtesi ka kur ai ishte 500gb dhe 4ram. Pavarësisht se esht kompani e madhe dhe prap se prap nuk jan te rregullt ..per veten e tyre me shum sepse sdo ngelet asnje klient per ta”.

 

“Kam patur probleme me një telefon që kam blerë, pasi nxehej shumë. dhe nuk ma ndruan po më thanë te ka ren nga dora dhe ben masë prandai nxehet”.

“Para disa vitesh një shoqja ime mori samsungun e fundit aty dhe i fikej në dorë. Pasi ua ktheu dy herë mbrapsht dhe pasi pretenduan se e rregulluan, të tretën herë e futën celularin e prishur sërish në kuti dhe kutinë e lanë aty te të gjithë celularët e tjerë dhe asaj i dhanë një të ri”.

“Kam blerë një telefon te ‘Shpresa-Al’ dhe kishte probleme. Kur e kam çuar te dyqani i tyre e kanë hapur dhe më kanë thënë që problemi nuk rregullohet më dhe se telefoni nuk është funksional. Më pas zbuloj që telefoni kishte nevojë vetëm për update”.

“Bleva samsung note 20, nuk karikohej më. Shkova e më thanë nuk e përmban garancia”.

“Bleva një iPhone XS max para ca vitesh dhe e kontrollova në gjermani kur i ndrrova ekranin e doli refurbished”.

/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

 

 

 

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *