Shqetësime për sigurinë aktuale në veri, kërkohet heqja e barrikadave

Kërkesa për heqjen e barrikadave është përsëritur edhe të dielën nga vendorët e ndërkombëtarët. Në mungesë të reagimit të misioneve paqeruajtëse në Kosovë, kërkohet që një veprim të tillë ta bëjnë institucionet e Kosovës.

Reagime të shumta ka ngjallur situata në veri të Kosovës.

Diplomatë, opozitarë në Kosovë e Shqipëri kanë shprehur shqetësimin e tyre me situatën aktuale, ku tensionet vazhdojnë të përcjellin rrugët e barrikaduara drejt kufirit me Serbinë.

Ambasadori i Suedisë në Kosovës, Jonas Westerlund, veriun e ka krahasuar me situatën e vitit 1999 derisa ka thënë se ajo çfarë është duke ndodhur mund të ketë pasoja të rënda.

 

“Jam i zhgënjyer në kuptimin që, e mbaj mend që kam kaluar nëpër urën në Mitrovicë më 1999, dhe më kujtohet se kam kaluar nga ana jugore në anën veriore, dhe menjëherë vinin disa serbë të Kosovës për të na kontrolluar se kush ishim, kontrollonin pasaportën time. Nuk do të mund ta imagjinoja që 23 vjet më vonë, do të kisha të njëjtën ndjenjë gjatë kalimit të urës. Kështu që jam i zhgënjyer që Ballkani nuk ka mundur të përparojë më shumë”, ka thënë Westerlund.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar që Qeveria të mos fshihet pas misionit të NATO-s, por t’i largojë barrikadat e vendosura që nga java e kaluar.

“Jam i sigurt që një insistim serioz më i madh i Qeverisë dhe i kryeministrit Albin Kurti në raport edhe me partnerët ndërkombëtarë, në radhë të parë me KFOR-in, deri tash do të duhej të jepte rezultatet e veta. Ka disa ditë që kanë thënë: “Po presim pak”, u bë shumë, mund të bëhet tepër, por një ditë do të jetë vonë. Dhe ne do të vijmë një ditë që s’kemi me pasë mundësi me e kthyer normalitetin që e kemi, e atëherë përgjegjësia do të jetë vetëm e Qeverisë”, ka thënë Kransiqi.

Por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për “Der Spiegel”, ka thënë se tensionet në veri janë rezultat i panikut të Serbisë.

“Duket se Vuçiqi dëshiron ta kthejë Serbinë në të kaluarën. Por ky tren është larguar. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Deklaratës sonë të pavarësisë. Nuk ka gjykatë më të lartë në këtë planet”, ka thënë Kurti.

Në pritje të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, për heqjen e barrikadave në veri, janë institucionet e sigurisë.

Se kur do të veprohet në këtë drejtim, nuk ka ndonjë përgjigje nga të dyja palët, derisa Ministria e Punëve të Brendshme pretendon se Policia ka kapacitete për të vepruar, por se janë në pritje të reagimit adekuat.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *