Shqipëri-Kosovë, rritet tregtia e investimet, por ka më pak biznese

Pas ndërtimit të rrugës së Kombit, marrëdhëniet tregtare dhe të biznesit mes Shqipërisë dhe Kosovës janë rritur me shpejtësi.

Për 5 mujorin e parë të vitit 2022, volumi tregtar me Kosovën (importe+eksporte) arriti 21.7 miliardë lekë (178 milionë euro), duke shënuar nivelet me të larta rekord të regjistruara ndonjëherë në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve, sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga Monitor. Kosova është partneri i gjashtë i Shqipërisë, sa ai përket volumit tregtar, pas Italisë, Turqisë, Gjermanisë, Greqisë dhe Kinës, me gati 4% të totalit.

Kosova është e rëndësishme për eksportet shqiptare, duke u renditur e treta, pas Italisë e Gjermanisë, me 7.6% të totalit, ndërsa pesha e importeve nga Kosova zë vetëm 1.63% të totalit për 5 mujorin e parë 2022.

Kosova është nga të paktat shtete, me të cilat Shqipëria ka bilanc tregtar pozitiv, dmth që eksportet janë më të larta sesa importit (shiko grafikun: Bilanci tregtar me Kosovën).

Metalet bazë mbeten produkti më i eksportuar, me 43% të totalit, ku rolin kryesor e zë kompania e përpunimit të çelikut, Kurum, që e ka Kosovë një nga tregjet kryesore të rajonit. Në vend të dytë renditen produktet minerale, ku përfshihet dhe nafta, me 17% të totalit (shiko grafikun: Eksportet drejt Kosovës, sipas kapitujve, 5 M I).

Edhe nga Kosova, produktet që importohen më shumë në Shqipëri janë metalet, me 33% të totalit, të ndjekura nga mineralet, me 32%. Ndonëse Shqipëria ka një peshë më të lartë të bujqësisë së ekonomi (rreth 20% gati dy herë më shumë se Kosova), importet e “Ushqime të përgatitura, pije alkolike, duhan” për 5 mujorin ishin pak më të larta sesa eksportet e të njëjtit kapitull drejt Kosovës.

Numri i bizneseve, më i ulët se në 2017-n

Viti 2017 shënoi dhe numrin më të lartë të bizneseve nga Kosova në Shqipëri, me 478 të tilla, sipas të dhënave të INSTAT. Në vitet e mëpasshme, numri i tyre shënoi rënie, duke arritur minimumin në 2020-n, që përkon me periudhën e pandemisë. Në 2021, numri i tyre u rrit sërish, duke arritur në 469, ose 7% e totalit të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta në vend, por pa e arritur rekordin e 2017-s (shiko grafikun: Nr i ndërmarrjeve, të huaja e të përbashkëta nga Kosova gjithsej).

Të dhënat e INSTAT tregojnë se ndërmarrjet nga Kosova janë përgjithësisht të vogla. Vetëm 7 prej tyre kishin më shumë se 50 punonjës në fund të vitit 2021, ndërsa 377 të tjera kanë 1 deri në 4 punonjës dhe janë kryesisht në fushën e shërbimeve.

Rriten ndjeshëm investimet e huaja nga Kosova

Viti 2021 shënoi 41 milionë euro investimeve të huaja që e kishin origjinën nga Kosova, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Ky është niveli më i lartë i investimeve nga Kosova, i regjistruar ndonjëherë në vend. Gjithsesi, në raport me shtetet e tjera, investimet nga kosova zunë vetëm 4% të totalit në vitin 2021. Qeveria e Kosovës së bashku me atë të Shqipërisë do të mbajnë të hënën mbledhjen e përbashkët. Sipas agjendës, në këtë takim pritet të nënshkruhen disa marrëveshje./monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *