Mbledhja e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi do të mbahet ditën e sotme, aty ku do të nënshkruhen 9 marrëveshje në fusha të ndryshme. Takimi pritet që të mbahet në Podgoricë në ambientet e Akademisë Malazeze të Shkencave dhe Arteve.
Mbledhja do të nisë në orën 10:30 të mëngjesit dhe do të zgjasë deri pasdite. Fillimisht do të zhvillohet ceremonia e mirëseardhjes dhe prezantimi i dy delegacioneve ndërsa në orën 10:45 është planifikuar që të nisë edhe seanca e përbashkët.
Në orën 13:00 do të bëhet nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët dhe Marrëveshjes Bilaterale për ndërtimin e urës në lumin Buna.
Sot, pritet të nënshkruhen nëntë marrëveshje dhe memorandume në fushat e energjisë, peshkimit, mbrojtjes së bimëve, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe medias, mbrojtjes, shëndetësisë, si dhe Marrëveshja për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin Shën Nikollë-Pulaj në territorin e Shqipërisë.
Krerët e dy vendeve Edi Rama dhe Dritan Abazovic do të mbajnë gjithashtu një konferencë të përbashkët për shtyp pas përfundimit të mbledhjes.