Shqipëri, nisma për amnisti fiskale dhe penale shkakton debat

Qeveria shqiptare i është rikthyer projektligjit për aministi fiskale dhe penale pas thuajse dy vitesh. Institucionet ndërkombëtare financiare e kritikuan draftin e vitit 2020, por autoritetet thonë se këtë herë ai vjen i përmirësuar. Përfaqësues të opozitës, ekspertë dhe dhoma biznesi, mendojnë se kjo nismë sërish lë hapësirë për depërtimin në ekonomi të parave që burojnë nga aktivitete të paligjshme. Ministrja e Finanacave dhe Ekonomisë thotë për Zërin e Amerikës, se janë forcuar filtrat për t’i penguar këto kapitale financiare dhe shpjegon se projektligji vjen në një kohë kur institucionet dhe masat janë forcuar për shkelësit e ligjit në të ardhmen.

 

Qeveria shqiptare po përgatit një ligj, që parashikon aminsti fiskale dhe penale. Kjo nuk është hera e pare që qeveria synon një ligj të tillë. Para dy vitesh ajo u tërhoq nga nisma pas kritikave të institucioneve financiare ndërkombëtare. Edhe pse zyrtarët thonë se vërejtjet janë reflektuar në projektin e ri, ekspertët dhe disa dhoma biznesi si ajo amerikane, gjermane dhe dhoma e tregëtisë dhe industrisë Tiranë, e kundërshtojnë aministinë, duke thënë se ajo nxit informalitetin dhe i hap rrugë depërtimit në ekonomi të parave të siguruara nga aktivitete kriminale. Petraq Milo, Pr. Dr, i Shkenace ekonomike thotë për Zërin e Amerikës, se kjo nisëm është parakohshme për shkak të informalitetit dhe korrupsionit të lartë, një sistemi fiskal të paqëndrueshëm, dhe faktit se Shqipëria ende bën pjesë në listën gri të Moneyval, strukturë e Këshillit të Europës për monitorimin e pastrimit të parave.

 

“Shqetësues është fakti, se personi bën deklarim vullnetar dhe nuk do të jetë i detyruar të japë informacion për burimin e parave. Nëse ligji i pastrimit të parave kërkon informacion për shuma, shumë herë më të ulëta së 2 milionë euro, në këtë rast nuk kërkohen. Pikërisht këtu është sinjali i alarmit. Ekziston rreziku i depërtimit të parave të përfituara në mënyrë kriminale, në mënyrë të paligjshme”- u shpreh Prof. Dr. i Shkencave Ekonomike Petraq Milo.

 

Zyrtarët thonë se drafti i ri sjell disa risi. Në të parashikohet ulja e kohës së zbatimit të amnistisë në 9 muaj, vendosja e kufirit deri në 2 milionë euro për asetet dhe të ardhurat që do të deklarohen vullnetarisht, kufizimin e këtij limiti brenda familjes, tatim nga 7 deri në 10% në varësi të kohës së vetëdeklarimit etj. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë thotë për Zërin e Amerikës se aministia synon të rrisë të ardhurat në buxhet, në një situatë të krizës ekonomike, të eliminojë informalitetin e krijuar ndër vite nga evazioni, apo nga çështje që lidhen me tatimet dhe doganat si dhe nga puna e padeklaruar. Aministia thotë ajo po shoqërohet me masa të shtuara për shkelësit e ligjit, në të ardhmen.

 

“Ky projektligj vjen në një moment kur qeveria dhe mjaft institucione kanë marrë nisma të rëndësishme me qëllim reduktimin e pastrimit të parave, ato në kuadër të reformës në drejtësi, por ajo që është shumë e rëndësishme kemi ngritur sisteme që paradalojnë krijimin e evazionit, dhe të informalitetit në të ardhmen”- tha për Zërin e Amerikës Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Financave.

 

Por përfaqësues të opozitës janë skeptikë ndaj deklaratave për forcimin e institucioneve si dhe ndaj proçesit të filtrimit të kërkesave për aminsti, nga njësia e posaçme që do të ngrihet në Drejtorinë e Tatimeve.

 

“Qeveria thotë se do të ndërtojë mekanizma në drejtorinë e tatimeve, për filtrimin e kërkesave. Por, kur këtë ka dështuar ta bëjë prokuroria e Tiranës, ato të rretheve, nuk kemi asnjë rezulat as nga SPAK , unë nuk pres që një drejtori tatimesh të filtrojë se cilat janë paratë e krimit dhe të korrupsionit. Drejtoria e tatimeve tashmë është provuar që ka lejuar biznese të cilat kanë marrë fonde publile dhe kanë gënjyer shtetin. Dhe skema të tilla të evazionit fiskal e vënë në pikëpyetje të madhe aftësinë e saj për të gjurmuar këtë lloj kapitali”- tha për Zërin e Amerikës Jorida Tabaku Kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit.

 

Mbrojtësit e nismës së aministisë fskale dhe penale thonë se ajo vendos barriera për paratë që vijnë nga aktivitete kriminale. Sipas projektligjit, përjashtohen ata persona që kanë detyrim deklarimin e pasurisë në Inspektoriatin e deklarimit të pasurive si politikanët, zyrtarë të nivelit të lartë dhe të mesëm, përfaqësues të sistemit të drejtësisë, administratorë të bizneseve private me më shumë se 50 punëtorë etj. si dhe familjarët e tyre. Drafti i ndalon amnistinë dhe personave që janë subjekte të ligjeve që godasin mafian, trafiqet e paligjshme dhe korrupsionin. Por skeptikët mendojnë se ata që përjashtohen nga aministia mund të përdorin të afërmit e tyre, jashtë familjes, për të legalizuar kapitalet e paligjshme.

 

“Nuk mund të paragjykojmë asnjë, për sa kohë nuk ka asnjë çështje penale ndaj tij. Nuk mund të ecet më këtë logjikë. Nëse në të ardhmen këta persona vërtetohen që mund të jenë të ndërlidhur ata e humbin të drejtën, për të qenë subjekt i ligjit të amnistisë dhe në zbatim të të gjithë legjislacionit në fuqi do të hapen proçese ndaj tyre, do t’u konfiskohen paratë ose asetet. Kjo ndodh në rast se vërtetohet që kanë lidhje me personat e përjashtuar nga amnistia”- u shpreh Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Financave.

 

Drafti i Aministisë u jep mundësi dhe emigrantëve të deklarojnë të ardhurat e tyre të përfituara nga puna e padeklaruar. Dyshimet e njohësve të fushës së ekonomisë lidhen me hyrjen nga jashtë të kapitaleve që burojnë nga aktivitete kriminale. Ata shprehin shqetësim, se amnistia ne vend, është një mesazh negativ për biznesin e ndershëm, ndaj dhe sugjerojnë që ajo të shoqërohet edhe me faljen e gjobave, apo të detyrimeve të papaguara të kësaj kategorie.

 

“Çfarë mesazhi i jep biznesit të ndershëm? I thua që ti paguan dhe ky tjetri që nuk paguan vjen një ditë dhe paguan më pak se ty? Krijon diferencë me biznesin e ndershëm por që ka një problematikë, të cilit sot aktualisht me ligjin e proçedurave tatimore i sekuestrohet pasuria nëse s’paguan detyrimin tatimor një gjobë, kamatëvonesë etj, ndërsa këtij tjetrit që vetëdeklarohet i aministohet. Pra për biznesin e ndërshëm çfarë ofrohet? Në këtë situatë do të ishte e shëndetshme të amnistohen dhe detyrimet e çdo biznesi që është i deklaruar”- u shpreh Prof. Dr. i Shkencave Ekonomike Petraq Milo.

 

Zyrtarët nuk janë dakort me këtë propozim, pasi sipas tyre, pikërisht kjo rrugë do të nxiste pabarazinë. Amnistia, shpjegojnë ata, kalon përmes tatimit dhe se asgjë nuk falet. E pyetur se sa kapital pritet të hyjë nga ky proçes, në ekonomi, Ministrja e Financave tha se është vështirë të përllogaritet një shifër.

 

“Ajo që mund të llogaritet është paraja jashtë bankave në lekë, pasi leku emetohet nga Banka e Shqipërisë, dhe ajo ka të dhëna të sakta sa i përket asaj pjese që qëndron në depozita dhe pjesës që është jashtë bankave. Nëse të njëjtën përqindje të keshit në bankë dhe jashtë banke, do ta llogarisim dhe për valutën, atëherë llogaritet të jetë rreth 3.4 miliardë euro në total para jashtë bankave. Kjo është një shifër e bazuar në disa supozime, e cila jo e gjitha është informale dhe jo domosdoshmërisht e gjitha do të hyjë në këtë proçes të aministisë”- u shpreh Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Financave.

 

Aministia fiskale dhe penale që propozohet nga qeveria nëse do të miratohet do të jetë e para e këtij lloji në vend. Në harkun kohor të dy viteve në tryezat e diskutimeve ky propozim po krijon sërish debate të shumta. Autoritetet thonë se janë konsultuar dhe me institucionet financiare ndërkombëtare, por FMN vetëm pak ditë para se Ministria e financave të bënte publike nismën e re për aministinë, ritheksoi këshillën e tij kundër saj, duke pasur parasysh rreziqet që lidhen me pastrimin e parave dhe administrimin tatimor. Diskutimet janë shtyrë për në vjeshtë, ndërsa qeverisë do t’i duhet edhe konsensusi i opozitës, pasi për miratimin në Kuvend të aministisë kërkohen 84 vota, të cilat shumica e vetme nuk i ka.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *