Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka kujtuar sulmet terroriste të 11 Shtatorit, duke theksuar se, Shqipëria dhe SHBA-të, janë të bashkuara në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë.
Kreu i Shtetit kujton dhe kapiten Feti Voglin, të vrarë në Afganistan, teksa shkruan se Shqipëria është e vendosur si vend anëtar i NATO-s, për të përmbushur çdo angazhim kundër terrorizmit ndërkombëtar, ekstremizmit të dhunshëm, autoritarizmit dhe çdo kërcënimi tjetër që rrezikon paqen.
“????? Në 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, nderojmë kujtimin e paharruar të jetëve të humbura dhe solidarizohemi me familjet e tyre dhe popullin amerikan!
Shqipëria dhe SHBA janë të bashkuara në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë, në të mirë të interesit të përbashkët të popujve tanë miq.
Të vendosur, si vend anëtar i NATO-s, për të përmbushur çdo angazhim kundër terrorizmit ndërkombëtar, ekstremizmit të dhunshëm, autoritarizmit dhe çdo kërcënimi tjetër që rrezikon paqen dhe stabilitetin, kudo në botë.
Mirënjohje për sakrificat e të gjithë ushtarakëve tanë dhe personelit mbështetës, që kanë sakrifikuar gjatë këtyre dy dekadave në vijën e parë kundër terrorizmit!
I përjetshëm kujtimi i Kapiten Feti Voglit!”,- shkruan Presidenti Meta.
/Priza.al/