Kryeministri Edi Rama ka publikuar disa të dhëna, që sipas tij janë hartuar nga Raporti i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Digjital, i cili e rendit Shqipërinë në vendin e 8-të në Europë dhe e 19 në botë sa i takon shërbimeve publike online.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Rama thotë se kushdo që flet përçart për sulmin kibernetik të Iranit mbi Shqipërinë harron 2 fakte: Jemi sulmuar se jemi zhvilluar dhe sulmi ka dështuar për shkak se kemi investuar.
Duke e vënë theksin tek puna e qeverisë që i ka dhënë fund pritjes në sportele për orë me radhë, Rama shton semegjithëse kemi shumë punë për të bërë vendi ynë e ka zhdukur korrupsionin.
“Këto tabela janë nxjerr nga Raporti i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Digjital të vendeve anëtare. Shqipëria renditet e 8-ta në Europë dhe e 19-ta në botë për Shërbimet Publike Online, një lajm shumë i bukur për t’u përcjellë nga kanalet e nga portalet që nxijnë përditë nga balta e gjysëm të vërtetave, sajesave, akuzave, sharjeve e banaliteteve gjithëfarësoj
Por më e rëndësishme akoma, një lajm për të vërtetën e madhe dhe të mohuar masivisht, se Shqipëria e sporteleve me hekura, e turmave nëpër radha për të marrë një copë letër, e bakshisheve për çdo shërbim në sportel i takon të shkuarës
Ka ende shumë për të bërë kundër korrupsionit dhe për forcimin e administratës, po ama për 1225 shërbime publike (95% e gjithë shërbimeve) vendi ynë e ka zhdukur korrupsionin, duke u ngjitur në pozicione që deri para disa vitesh as mund të imagjinoheshin, nga fundi i pusit ku e nisëm rrugën e #RevolucionitDigjital
*Shumëkush flet përçart për sulmin kibernetik mbi Shqipërinë, duke harruar dy fakte të thjeshta, e para se jemi sulmuar pikërisht ngaqë jemi zhvilluar (po të ishim akoma me sportele në shi e në diell, s’do na sulmonin dot) dhe e dyta, se sulmi ka dështuar pikërisht sepse kemi investuar si duhet, duke bërë shumë me pak, e duke u renditur ndër vendet më të zhvilluara për shërbimet publike online”, shkruan Rama.