Tregu i punës online po zgjerohet me shpejtësi kudo në botë dhe pjesë e tij tashmë është edhe Rajoni i Ballkanit dhe Shqipëria. Një raport rajonal i “Gigmetar” tregoi se në tetor të vitit të kaluar, mbi 6200 shqiptarë ishin të punësuar online. Shqipëria u rendit e dyta pas Maqedonisë së Veriut, në 8 vende të Rajonit për numrin e punonjësve online në raport me popullsinë. Studimi mori në konsideratë numrin e personave që punojnë në distancë në 3 platformat, Upwork, Freelancer dhe Guru.
Numrin më të lartë të punonjësve online në raport me popullsinë e saj e kishte Maqedonia e Veriut me 331 punonjës për 100,000 banorë, Shqipëria me 222,2 të punësuar për 100,000 banorë, Mali i Zi me 208.3, Serbia me 207.7, Bosnja me 143.1, Kroacia me 97.8, Bullgaria me 80.1 dhe Rumania me 58.5.
Matjet e tetorit tregojnë se Shqipëria shënoi rritjen më të madhe të punësimit në këto platforma në 2022, ndërsa në të kundërt Bosnja shënoi rënie të numrit të punonjësve online gjatë vitit 2022. Në dekadën e fundit, bota, përjetoi një rritje të paprecedentë të tregjet dixhitale të punës. Ndryshimet shkatërruese të shkaktuara nga rritja e teknologjive të informacionit dhe komunikimit gjeneruan risi në shkallë të gjerë dhe stimuluan ndryshime thelbësore në tregun e punës dhe kualifikimet e punonjësve, megjithëse sipas Bankës Botërore është një “revolucion” i qetë.
Mirëpo tregu digjital i punës po shfaq sfida të shumta në një mjedis pune të sapokrijuar të dobët ose përgjithësisht të parregulluar. Më tej, ka pasur një polarizim gjithnjë e më të theksuar ndërmjet vendeve e zhvilluara dhe të pazhvilluara, të tilla si shpërndarja e pabarabartë e mundësive për punë dixhitale ndërmjet qendrave urbane dhe zonave rurale dhe shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave.
Por aspektet pozitive i dominojnë zhvillimet në tregun dixhital të punës. Në matjen e fundit që i takon fundit të vitit të kaluar tregu i punës në distancë Freelancer, Upwork dhe Guru ne Rajon u rrit me më shumë se një të katërtën (26.4%). Platforma Upwork ruajti pozicionin e saj dominues si punëdhënëse në distancë midis tre platformave dixhitale më të njohura në rajon, por me një rënie relativisht të ndjeshme të pjesës së saj të tregut 5.5 pikë për qind me 2022.
Megjithatë, rënia e peshës së Upwork nuk është rezultat i një rënieje të numrit të punonjësve, por prej faktit se në dy platformat e tjera numri i punonjësve u rrit në një masë më të madhe. Platformat e punësimit online u bënë popullore në Ballkan sidomos gjatë pandemisë Covid-19. Ata po krijojnë mundësi të reja pune dhe po bëhen të preferuara falë punësimit të lehtë, që nuk kërkon diploma, por njohuri praktike, duke ofruar fleksibilitet të punës në vendndodhje dhe oraret.