Shqipëria ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për rishikim të Rezolutës të vitit 2011 të Këshillit të Evropës, përmes së cilës janë ngritur akuzat ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirmitare të Kosovës për trafikimin me organe të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë.
“Në dritën e zhvillimeve të kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse edhe falë angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë, raporti famëkeq i Dick Marty-t nuk mund të gëzojë më rezolutën mbështetëse në fuqi”, shkruhet në kërkesën e Shqipërisë drejtuar institucioneve më të lartë të KiE-së.
Nuk është e qartë nëse Këshilli i Evropës do ta marrë parasysh kërkesën e Shqipërisë, anëtare e kësaj organizate, për ta shfuqizuar rezolutën që mbështet raportin e Martyt, e cila u bë baza për themelimin e Dhomave te Specializuara. Kuvendi i Shqipërisë më 21 korrik ka votuar unanimisht, me 125 vota të deputetëve një rezolutë, përmes së cilës u zotua se do t’i kërkojë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (folloë up report) dhe si rrjedhojë një rishikim thelbësor të akuzave të ngritura nga raporti i Dick Martyt.
Raporti i Dick Martyt, një politikan zviceran dhe një ish-anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 2010, u shndërrua në arsyen për themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, një gjykatë hibride para të cilës ish-krerët më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tashmë po gjykohen nën akuza për krime të luftës ndaj civilëve serbë dhe rivalëve politikë. Raporti i Martyt, i cili u miratua nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, përmban pretendime se ish-krerët e UÇK-së ishin të përfshirë në trafikim të organeve të qenieve njerëzore gjatë luftës. Akuzat e ngritura në raportin e Martyt janë hetuar nga një prokuror amerikan dhe gjetjet e tij nuk kanë përfshirë dëshmi të bazuara se trafikimi i organeve me qenie njerëzore ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
Pretendimet e raportit të Martyt për trafikim organesh nuk janë materializuar as në aktakuzën e ngritur më 2020 kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e Jakup Krasniqi, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, të cilët i mohojnë akuzat. Megjithatë, pretendimet e Martyt nuk janë hedhur poshtë nga Këshilli i Evropës, ndërkohë që së fundmi Marty është vënë nën mbrojtjen e policisë zvicerane pas zbulimit se strukturat serbe të sigurisë po planifikonin vrasjen e tij. Sipas Rezotutës së dorëzuar, Shqipëria përmes saj riafirmon “vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë e për të mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën dhe e konsideron këtë nisëm shprehje kuptimplotë të këtij vullneti”.
Kërkesa e Shqipërisë i drejtohet Këshilli të Evropës pas përjashtimit të Rusisë nga ky mekanizëm./REL