Ekziston një lidhje midis gjendjes financiare të familjes së prindërve dhe rrezikut të varfërisë tek të rriturit e sotëm, sipas Eurostat.
Ky tregues nënkupton që nëse një fëmijë është rritur në një familje të varfër ka më shumë mundësi që të jetë i varfër edhe kur të arrijë në moshë madhore.
Në vitin 2019, në Bashkimin Europian, shkalla e rrezikut nga varfëria ishte 23.0% mes njerëzve me një situatë “të keqe” financiare në familjen e tyre kur ata ishin rreth 14 vjeç. Kjo shifër është 9,6 pikë përqindjeje (pp) më e lartë se shkalla e rrezikut nga varfëria në mesin e atyre me një situatë “të mirë” financiare në familjen e tyre të fëmijërisë.
Ky informacion vjen nga të dhënat e publikuara nga Eurostat mbi transmetimin ndër breza të disavantazheve nga moduli i Statistikave të BE-së për të ardhurat dhe kushtet e jetesës (EU-SILC).
Anketa mat shkallën e rrezikuar nga varfëria për të rriturit (nga 25 deri në 59 vjeç) sipas nivelit të situatës financiare të familjeve të tyre kur i anketuari ishte rreth 14 vjeç.
Shkalla e rrezikut të varfërisë për të rriturit aktualë me një situatë të keqe financiare në familjet e fëmijërisë varionte nga 10.2% në Çeki në 40.1% në Bullgari. Nga ana tjetër, shkalla e rrezikut të varfërisë për të rriturit aktualë me një situatë të mirë financiare varionte nga 5.9% në Çeki në 16.6% në Spanjë.
Pothuajse në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, shkalla e rrezikut nga varfëria ishte më e lartë për njerëzit që kishin një situatë të keqe financiare në të kaluarën. Diferencat më të mëdha u regjistruan në Bullgari (27.6 pikë përqindje diferencë midis situatave të këqija dhe të mira financiare në të kaluarën), Rumani (17.1 pp) dhe Itali (14.8 pp).
Në anën tjetër, dallimet më të vogla u regjistruan në Letoni (0.6 pp) dhe Austri (0.7 pp) si dhe në Estoni (1.8 pp) dhe Finlandë (2.0 pp). Në Danimarkë, shkalla e rrezikut nga varfëria mes njerëzve që kishin një situatë të mirë financiare në të kaluarën ishte më e lartë se njerëzit që kishin një situatë të keqe financiare.
Shqipëria ndër vendet me rrezik më të ulët
Ndërsa Shqipëria në përgjithësi renditet ndër vendet më të varfra të Europës, në këtë tregues ajo është më mirë se rajoni dhe vende të tjera të Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave të Eurostat, Shkalla e rrezikut të varfërisë për të rriturit aktualë me një situatë të keqe financiare në familjet e fëmijërisë në Shqipëri ishte 25% në vitin 2019, më e ulëta në rajon dhe afër mesatares së bashkimit Europian prej 23%. Më i lartë ky tregues është në Mal të Zi, me 35.5%, Maqedonia e Veriut 33%, Serbia 29.3% (të dhënat për Kosovën dhe Bosnjë Hercegovinën mungojnë).
Rreziku i ulët i Shqipërisë mund të lidhet dhe me nivelin e lartë të emigracionit tek të rinjtë, që i bën ata më të pavarur nga prejardhja familjare (shënim i Monitor).