Në Shqipëri, vatra të shumta zjarri vijojnë të shfaqen përditë në zona të ndryshme të vendit. Në 24 orët e fundit, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, janë identifikuar 28 raste nga veriu në jug. Shumica e tyre janë arritur të shuhen, dhe deri paraditen e sotme kishin mbetur active vetëm 4 prej tyre, në fshatin Shetaj, bashkia Durrës; në fshatin Mal Bardhë, bashkia Kurbin, ku gjatë ditës së djeshme u angazhuan forcat e pushtetit vendor, të mbështetur nga 50 efektivë të ushtrisë; në fshatin Sojnik, bashkia Gramsh dhe në fshatin Prongji, bashkia Gjirokastrër, ku bëhet fjalë për një vatër të riaktivizuar. Ndërkohë gjatë ditës është njoftuar po ashtu dhe për raste të tjera zjarresh.
Në operacionet për shuarjen e vatrave gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 709 forca operacionale, të Shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, forca të ushtrisë, të njësive bashkiake, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimit pyjor, apo dhe forca vullnetare. Në këto operacione janë përfshirë dhe 36 mjete zjarrfikëse.
Zjarret të nxitura dhe nga temperaturat e larta, u shfaqën problematike që në muajin korrik. Sipas të dhënave zyrtare, në total, gjatë muajit të kaluar janë shuar 361 vatra. Në një pjesë të operacioneve është dashur edhe ndërhyrja nga ajri, ku Shqipëria i është drejtuar Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Evropiane, në kuadër të të cilit janë dërguar në një kohë shumë të shpejtë avionë nga pala greke.
Ndërhyrjet nga ajri, ku janë angazhuar dhe helikopterë të ushtrisë shqiptare, kanë qenë të nevojshme dhe në disa raste gjatë muajit gusht, ku çdo ditë janë rregjistruar mbi 20 vatra zjarri.