Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman ka folur për fenomenin e emigrantëve klandestinë që kalojnë kanalin e La Manshit me gomone për të shkuar në Britaninë e Madhe.
Në një intervistë për gazetën Daily Telegraph, zyrtarja britanike ka renditur emrat e tre vendeve nga ku vijnë klandestinët që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Sigurisht, në renditjen e sekretares së Brendshme nuk mund të mungonte as Shqipëria. Sipas statistikave zyrtare, në gjysmën e parë të 2022, ardhjet nga tre vendet, Shqipëria, Afganistani dhe Irani përbëjnë më shumë se gjysmën e totalit të përgjithshëm të klandestinëve që kanë shkuar në Britani me gomone, nëpërmjet kanalit La Manshit duke vënë në rrezik jetën e tyre.
18% e klandestinëve që kanë shkuar këtë vit në rrugë ilegale në Angli kanë qenë shqiptarë, 18% nga Afganistani dhe 15% nga Irani.
Numri i shqiptarëve që kalojnë ilegalisht është rritur ndjeshëm që nga viti 2021. Asokohe vendin e parë e mbanin iranianët me 30%, pasonin irakianët me 21% dhe sirianët me 9%, thotë sekretarja.
Sipas BBC, më shumë se 33.500 emigrantë kanë shkuar këtë vit ilegalisht në Britani me gomone, shifra më e lartë që Britania ka shënuar ndonjëherë. Në vitin 2021 klandestinët që shkuan në Angli ishin në total 28.526, ndërsa në vitin 2020 ishin 8.404.