Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka reaguar pas vendimit të Bashkimit Europian për ta rikthyer vendin tonë në listën e vendeve nën monitorim lidhur me problematikat me çështjet fiskale. Në një postim në rrjetin social ‘Facebook’ Meta shkroi se kryeministri Rama e ka shndërruar Shqipërinë në një parajsë fiskale të krimit të organizuar. Ai e cilësoi dështim përpjekjen e qeverisë për konsolidimin e një administrate tatimore moderne.
Reagimi i plotë:
Vendimi i Bashkimit Europian për të rikthyer Shqipërinë në listën e vendeve në monitorim për çështje fiskale është një tjetër goditje shumë e rëndë për Edi Ramën dhe Qeverinë e tij të korruptuar, të aferave dhe skandaleve të panumërta financiare.
Ndërkohë që Shqipëria ndodhet prej disa vitesh në listën e vendeve nën monitorim për pastrimin e parave, tashmë përfshihemi dhe në listen e vendeve me regjim të dyshimtë fiskal.
Edi Rama e ka zhytur vendin në paligjshmëri totale duke e shndërruar Shqipërinë në parajsën fiskale të krimit të organizuar vendas e ndërkombëtar nëpërmjet miratimit të një sërë ligjeve që kanë vetëm për qëllim futjen e parasë së pisët në çdo sektor të ekonomisë.
Edhe tentativa skandaloze e Edi Ramës për pastrimin e parave të korrupsionit dhe krimit të organizuar nëpërmjet “Amnistisë Fiskale” është një nga arsyet kryesore të këtij vendimi të BE, që dekurajon rëndë afrimin e investimeve të huaja serioze në Shqipëri.
Në dhjetë vite, Kryeministri në largim dështoi totalisht në konsolidimin e një administrate tatimore moderne dhe minoi me qëllim përpjekjet kundër krimit dhe korrupsionit duke dobësuar efikasitetin e mekanizmave shtetërore, që luftojnë paranë e pisët.
Vetëm largimi i Edi Ramës e rikthen ekonominë në shinat e ligjit dhe sjell investime të huaja dhe vendase serioze duke siguruar kështu një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë të ekonomisë, që prodhon mirëqenie për qytetarët dhe ndalon shpopullimin dramatik!