Shqipëria nën vëzhgim/ Karamuço: Kemi vënë në mendime ‘krimin’ për ndryshimin e taktikës

Nga: Adela Qerosi

Aksioni i Policisë për heqjen e kamerave të sigurisë të vendosura nga grupet kriminale, i nisur pak ditë më parë, ka rikonfirmuar edhe njëherë tjetër atë që tashmë dihet, se krimi i organizuar po kontrollon rrugë e rrugica deri në lagje të tëra. Thënë kjo edhe në kuptimin e parë të fjalës. Anëtarët e bandave kriminale, për vite me radhë kanë pasur akses në jetën dhe lëvizjet e policisë, kundërshtarëve të tyre, apo edhe qytetarëve të thjeshtë.

Vetëm në kryeqytet janë çmontuar 220 kamera sigurie dhe aksioni ka përfshirë disa qytete të vendit.

Fakti është se në gjithë panoramën e krijuar figura e policëve me spaleta të ngjiteshin në majat e shtyllave duke prerë fijet e kamerave dukej një  pamje jo e denjë sepse në këto raste mund të merrej një teknik dhe jo figura e policit.

Por, jehonës së madhe të këtij operacioni masiv policor i shtohen edhe disa pikëpyetje, lidhur me zbardhjen e qëllimit të vendosjes së këtyre kamerave, apo identifikimit të pronarëve që është gati i pamundur.

Eksperti i njohur i sigurisë, Ervin Karamuço, në një intervistë për Priza.al u shpreh se përveç kamerave duhet të sekuestrohen dhe analizohen edhe serverat dhe memoriet grafike të tyre, për të parë çfarë kanë administruar ato dhe për çfarë janë përdorur. Sipas tij kjo do të na çonte në zbardhjen e shumë ngjarjeve kriminale.

“Duhet të dalin përgjegjësit e policisë së shtetit, që kanë gati 15 vjet që nuk kanë vepruar. Megjithëse kamerat kanë ekzistuar në lagje dhe zona publike, policia shkonte në vendngjarje, kërkonte kamerat, por serverat nuk identifikoheshin sepse ishin të grupeve kriminale. Ishin evidentuar me kohë kamerat që mund të shfrytëzoheshin nga policia por nuk është dhënë asnjëherë informacion” – u shpreh eksperti.

Ai tregoi se aksioni duhet të shtrihet në të gjithë territorin por në mënyrë të vazhdueshme. “Nëse ne nuk kemi të identifikuar pronarët e kamerave dhe të serverave, mënyrën si e kanë ndërtuar, nuk i kemi bërë asgjë krimit përveçse i kemi venë në mendime për të ndryshuar taktikë se çfarë do bëjnë në të ardhmen, si do të infiltrohen në kamerat e bizneseve të ligjshme, për të bërë të njëjtën punë që kanë bërë me kamerat e tyre deri sot.” – tha Karamuço.

Aksioni policor nisi fillimisht në qytetin e Shkodrës, duke marrë shtysë nga shpërthimi me eksploziv në shtëpinë e një ish-efektivi në këtë qytet. Pak ditë më vonë, kur aksioni mbërriti në kryeqytet, u bë me dije se disa nga këto kamera, kryesisht në zonën e njohur si Ish-Parku i Autobusave, vetë subjektet kriminale që i kishin vendosur, i hoqën. Sipas Karamuços kjo mund të shmangej me një aksion policor që do të ndodhte njëkohësisht në të gjithë territorin e vendit.

Pavarësisht se blutë kanë njoftuar se po hetojnë disa persona, në lidhje me identifikimin e autorëve, shumica e kamerave janë ende ‘pa pronar’. Eksperti i njohur theksoi edhe faktin se në kryerjen e këtij operacioni po rrezikohet jeta e policëve. Ai u shpreh se heqja e kamerave nga shtyllat e energjisë elektrike duhet të bëhej nga entet dhe punonjësit e specializuar.

Intervista e plotë:

1.Z.Karamuço, si e gjykoni të gjithë operacionin policor të ndërmarrë për heqjen e kamerave të jashtëligjshme të policisë?

Aksioni i Policisë së Shtetit që po zhvillohet në të gjithë territorin duhet të ishte i njëkohshëm , i fshehtë dhe jo i ekspozuar që të kishim mundësi të kapnim në flagrancë autorët, pronarët e tyre dhe t’i vendosnim përpara përgjegjësisë ligjore. Po ashtu, përveç kamerave ne duhet të kapnim dhe sekuestronim serverat dhe memoriet grafike, për të parë çfarë kanë administruar ato, për çfarë i kanë përdorur sepse do na zbardhnin shumë ngjarje dhe informacione të cilat policia nuk i ka ende në arkivin e saj dhe nuk e di se pse janë vendosur këto dhe kush ka qenë qëllimi konkret. Kjo del vetëm nga dekriptimi i të gjitha serverave që nuk janë gjetur akoma, madje dhe shumica e kamerave janë ende pa pronar. Nga ana tjetër duhet të them që edhe heqja e këtyre kamerave nga shtyllat telefonike dhe të energjisë elektrike po rrezikon jetën e policëve. Po bëhet nga vetë efektivet e policisë, ndërkohë që duhet të bëhet nga punonjësit e enteve që të jenë të specializuar, se mund të ndodhë që me një pincë e ca dorashka që nuk janë për atë punë mund të humbasin jetën, pra janë vënë në shumë vështirësi. Nuk e di kush e ka nxjerrë atë urdhër që vetë policia të hipi në majë të shtyllave.

2. Sipas jush, pse u ndërmor pikërisht tani ky aksion masiv?

Ka qenë një strategji që është miratuar në fund të dhjetorit nga ana e policisë së shtetit në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtar për luftën kundër krimit dhe një nga elementët kryesorë ka qenë edhe fillimi i goditjes së teknologjisë që përdoret nga krimi i organizuar, por duhej të ndodhte shpërthimi në Shkodër që të vihej në veprim. Duhet të dalin përgjegjësit e policisë së shtetit, që ka gati 15 vjet që nuk kanë vepruar, megjithëse kamerat kanë ekzistuar në lagje dhe zona publike, por policia shkonte në vendngjarje, kërkonte kamerat po serverat nuk identifikoheshin sepse ishin të grupeve kriminale. Policia nuk merrte dot te dhëna. Ishin evidentuar me kohë kamerat që mund të shfrytëzoheshin nga policia por nuk është dhënë asnjëherë informacion.

3. Si do të ndikojë në ‘botën e krimit’ heqja e këtyre kamerave?

Në kuadër edhe të fillimit të procesit për marrjen e masave (s’ka dalë ende) për zgjedhjet, është një veprim që ka efekte mbi krimin e organizuar dhe organizatat transnacionale, po nëse ne nuk kemi të identifikuar pronarët e kamerave dhe të serverëve, mënyrën si e kanë ndërtuar, nuk i kemi bërë asgjë krimit përveçse i kemi venë në mendime për të ndryshuar taktikë se çfarë do bëjnë në të ardhmen, si do të infiltrohen në kamerat e bizneseve të ligjshme, për të bërë të njëjtën punë që kanë bërë me kamerat e tyre deri sot. Duhet parë në një koncept më të gjerë, duhet vendosur masa të tjera të një kontrolli të vazhdueshëm të territorit për të parë kush vëzhgon çfarë dhe për çfarë qëllimi.

4. Në dijeninë tuaj, policia po fokusohet në pika të caktuara të qyteteve, në të cilat ka indicie, apo po bën një ‘krehje’ të përgjithshme?  

Aktualisht në Tiranë, me sa kam marrë informacione nga policia e shtetit të 6 komisariatet janë më së shumti të fokusuara në lagje dhe në shtëpitë e banimit të personave në kërkim ose të atyre me rekorde të rënda kriminale që janë liruar nga burgu. Ata nuk është se kanë survejuar vetëm banesat e tyre por edhe hapësira të tjera publike që ju ndalohen nga ligji. Ende ka shumë kamera që nuk ju ka dalë pronari edhe në Tiranë. Po bëhen kërkime, po krihet i gjithë territori në mënyrën e kontrolleve të vazhdueshme. Për këtë duhet të kishte një regjistër paraprak. Një regjistër ekziston në policinë e shtetit por është shumë formal dhe me numër të vogël, për atë që ne i themi për dhënien e certifikatave ose vërtetimeve të sigurisë. Për një pjesë tjetër shumë të madhe nuk dihet se pse janë vendosur, çfarë vëzhgojnë dhe çfarë mbrojnë. Për shkak se nuk është vepruar në kohë në të gjithë territorin e Shqipërisë për t’i hequr këto kamera ka ndodhur që në disa zona, si në Tiranë ose zona të tjera ku vala e kontrollit po mbërrin më vonë sesa në qytetet e tjera, ata ose po i heqin vetë ose po i dëmtojnë që kur të shkojë policia të mos ketë mënyra për t’i identifikuar.

Kamerat janë përdorur dhe si një mjet mbrojtës ndaj familjeve që janë në hasmëri që mesa duket shteti nuk arrin t’i marrë në mbrojtje për t’i shpëtuar jetën. Në këto kushte  kamerat janë hallka fundore e këtij operacioni.

*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *