Shqipëria ka mbetur në vendnumëro për të arritur Europën për nivelin e të ardhurave, por është duke bërë hapa të shpejtë për ta kapur atë në nivelin e çmimeve.
Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2023, çmimet e ushqimeve në Shqipëri ishin sa 89.8% e mesatares së BE-së, nga 83.7% që ishte ky tregues më 2022.
Nga viti 2014 në vitin 2023, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri i është afruar mesatares së BE me 23 pikë për qind, pasi në vitin 2014 çmimet e ushqimeve në vendin tonë ishin sa 66.8% e mesatares së BE-së.
Nga ana tjetër, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në vendin tonë ishte në vitin 2022 sa 34% e mesatares se BE, duke u përmirësuar shumë pak që nga viti 2014, kur PBB për frymë ishte sa 30% e mesatares së BE-së.
Kur vjen puna te niveli i lartë i çmimeve të ushqimeve, Shqipëria lë pas 7 vende europiane, por për të ardhurat për frymë renditemi të fundit në Europë. Vendit ia ka kaluar dhe Bosnjë-Hercegovina, që sipas të dhënave të mëparshme ishte në të njëjtin nivel me Shqipërinë.
Të ardhurat e Bosnjës ishin sa 35% e mesatares europiane, të Maqedonisë së Veriut sa 42% e BE-së. Serbia e kishte këtë tregues 44%, ndërsa nivelin më të lartë në rajon e ka Mali i Zi, me 50%. Të dhënat për Kosovën nuk janë të disponueshme.
Bosnja kishte çmimet e ushqimeve sa 83.9% të mesatares së BE-së, Bullgaria i kishte 86.5%, Mali i Zi 85.5%, Polonia 75.8%, Rumania 72.7%, Maqedonia e Veriut 67.9% dhe Turqia 63% e mesatares se BE-së