Vizita e liderëve të Bashkimit Evropian në Tiranë më 6 dhjetor do t’i kushtojë shtetit shqiptar 50 milionë lekë.
Vendimi i Këshillit të Ministrave ka njoftuar se ky fond për organizimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme në vend, që do të sjellë në kryeqytet liderët europian, do përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022.
“1. Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, i shtohet fondi prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve të organizimit të “Samitit të BE-BP”, që do të organizohet në Tiranë, në datën 6 dhjetor 2022.
- Efekti financiar, prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022”, thuhet në vendim.
Në Tiranë do të mblidhen me 6 dhjetor liderë të Bashkimit Evropian dhe ata të Rajonit. Mes liderëve që pritet të vijnë në kryeqytet janë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.
Për kryeministrin Rama, ky është një tregues se Shqipëria pavarësisht se është një vend i vogël, ka fituar respekt në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë, nga ana tjetër, Partia Demokratike ka paralajmëruar protestë.
Kujtojmë se Samiti mbahet në një moment kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur negociatat, ndërsa Kosova pret liberalizimin e vizave dhe Bosnje-Hercegovina pret statusin e vendit kandidat. Nga ana tjetër, Serbisë po i kërkohet më shumë progres në dialogun me Kosovën për të avancuar në procesin e integrimit në BE.
Ballkani Perëndimor ka kërkuar të mos lihet vetëm nga Brukseli përballë krizës energjetike me të cilat po përballet e gjithë bota. Ndërkohë BE ka premtuar se do të përfshijë 6 vendet e BE në projekt e saj për t’iu gjendur pranë në këtë periudhë krize.