Në një konferencë të përbashkët të presidentëve të Kosovës dhe Shqipërisë, krerët e shteteve kanë folur edhe në lidhje me rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për raportin e Dick Martyt.
Vjosa Osmani theksoi se lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të bëhet “pis” sepse ishte mbrojtje ndaj një lufte gjenocidale. Osmani u shpreh gjithashtu se ky raport është një akt politik që mund të shfuqizohet vetëm nga organe që i kanë miratuar ato dhe shtoi se mirëpresin ndihmë nga Shqipëria që Kosova të bëhet pjesë e KiE për të paraqitur amendamente.
“Një akt politik mund të shfuqizohen vetëm nga organe që i kanë miratuar ato, Kuvendi ka shprehur atë që çdo shqiptar e ka thënë deri sot. Lufta e Kosovës nuk mund të zhbëhet nga askush. Kosova nuk ka pasur asnjëherë çfarë të fshehë. Mbetjet e Millosheviçit janë ende në Serbi në kontekst të mentalitetit. Konfirmimin tonë për luftën në Kosovë e keni dëgjuar çdo ditë. Nuk mund të prisni përshëndetje speciale për një ditë te veçantë sepse qëndrimi ynë është në çdo frymëmarrje tonën. Në çdo punë që bëjmë e nderojmë çdo çlirimtar. Ne e kemi konfirmuar një të vërtetë që nuk do ndryshohet nga askush pavarësisht përpjekjeve të Serbisë. Serbia ka qenë agresori, Kosova ka qenë viktima. Ushtria ka luftuar për lirinë e vendit tonë.
Diçk Marty përgjigjen e ka marrë edhe nga prokurorë të Kosovës. Këto thashetheme kanë rënë në tokë para shumë vitesh. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në KiE. Ne mirëpresim ndihmë nga Shqipëria dhe në momentin që Kosova do të ketë të drejta të plota në këtë këshill me përfaqësues do të ketë mundësi që të bëjë propozime brenda vetë organizatës”, tha ajo.