20 marsi është Dita e Lumturisë. Në këtë ditë, Kombet e Bashkuara publikojnë Indeksin e Lumturisë, i cili mat perceptimin e qytetarëve lidhur me cilësinë e tyre të jetesës, që nga të ardhurat, problemet me korrupsionin, mbështetjen nga miqtë, bamirësinë, lirinë për të vendosur, sa jetë të shëndetshme bëjnë etj.Shqipëria, ndonëse është përmirësuar në pozicion në raport me vetveten, duke u ngjitur në vendin e 87, nga i 91 që ishte një vit më parë, sërish mbetet ndër më të palumturat në Europë. Në renditjen e këtij viti, Shqipëria lë pas vetëm Turqinë, që është në pozicionin e 98. Vendi më i lumtur në rajon mbetet Kosova (29), e ndjekur nga Serbia (37), Mali i Zi në vendin e 76 dhe Maqedonia e Veriut, në vendin e 84. Kjo e fundit vitin e kaluar renditej më keq se Shqipëria, në vendin e 92, por ka pasur një përmirësim më të lartë. Raporti i Lumturisë (World Happiness Report), i cili është një botim i Rrjetit të Zgjidhjeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së (UN Sustainable Development Solutions Netëork), bazohet në një anketë vjetore, ku pyeten rreth 1000 individë në rreth 140 vende të botës, të cilëve iu kërkohet që të rendisin, nga 1 në 10, për të parë nëse janë duke jetuar mirë apo jo. Shqipëria e ka pikëzimin këtë vit në 5.304.
Ndonëse është përmirësuar në pozicionim për shkak të përkeqësimit të përgjithshëm global, në renditjen e mëparshme shqiptarët rezultonin me pikëzim më të lartë prej 5.117, çka tregon se në raport me vetveten ata janë bërë më të palumtur.
Pikët më të ulëta Shqipëria i merr në treguesin e perceptimit të korrupsionit, me vetëm 0.049 pikë, ku pyetja kryesore që u bëhet të anketuarve lidhet me përhapjen e korrupsionit në qeveri.
Vlerësim të dobët ka dhe bujaria me 0.138 pikë, që tregon që shqiptarët nuk e mbështesin dhe aq shumë njëri tjetrin. Renditja është më e lartë tek të ardhurat për frymë, me 1.4 pikë, mbështetja sociale 0.9 pikë, pritshmëria për një jetë të shëndetshme, 0.6 pikë. Shqiptarët mendojnë se nuk kanë shumë mundësi zgjedhjeje në jetë, me treguesi që merr 0.69 pikë.
Si matet lumturia
Vendet renditen sipas lumturisë bazuar në vlerësimet mesatare të jetës së tyre gjatë tre viteve të mëparshme, në këtë rast 2021-2023. Raporti identifikon kombet më të lumtura, ato në fund të shkallës së lumturisë, plus faktorët që priren të çojnë në lumturi më të madhe.Treguesit në të cilët bazohet indeksi, bazohen në të ardhurat për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, të dhënat për bamirësi, liria për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit. Për të kuptuar rezultatet studiuesit kanë përdorur këta treguesi: Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme në lindje, mbështetje sociale, bamirësia, korrupsioni i ulët, bujari në komunitet, ku njerëzit kujdesen për komunitetin dhe për njëri-tjetrin, lirinë për të marrë vendime të rëndësishme në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit.
Individëve u bëhen pyetje të tilla si “Nëse do të ishit në telashe, a keni të afërm apo miq se ku mund të mbështeteni që t’ju ndihmojnë kur keni nevojë?”, apo “A jeni të kënaqur apo të pakënaqur me lirinë për të zgjedhur atë që doni të bëni në jetë?”.
Një tjetër pyetje është “A keni dhuruar para për bamirësi muajt e fundit?”. Perceptimet për korrupsionin merren po nga sondazhi i Gallup për dy pyetje: “A është korrupsioni i përhapur në qeveri apo jo?” dhe “A është korrupsioni i përhapur tek bizneset?”.
Këto pyetje kombinohen me tregues të tjerë, si të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse të publikuara nga Banka Botërore dhe të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë lidhur me pritshmërinë për një jetë të shëndetshme në lindje.
Vendet më të lumtura në botë
Finlanda është sërish vendi më i lumtur në botë.
Raporti bazohet në të dhënat e sondazheve globale nga njerëz në më shumë se 140 vende. Vendet janë renditur sipas lumturisë bazuar në vlerësimet mesatare të jetës së tyre gjatë tre viteve të mëparshme, në këtë rast në vitet 2021 deri në 2023.
Fqinjët nordikë të Finlandës gjithashtu fituan pozicionet kryesore, me Danimarkën (Nr. 2), Islandën (Nr. 3) dhe Suedinë (Nr. 4) në pesëshen e parë, dhe Norvegjinë (Nr. 7) duke u renditur lehtësisht në top 10.
Duke pasur parasysh luftën me Hamasin, Izraeli mund të jetë një surprizë në vendin e pestë, megjithëse vendi ka qenë në top 10 që nga viti 2022. Autorët e raportit theksojnë se renditja e tij bazohet në një mesatare trevjeçare, e cila shpesh ul efektin e “ngjarjeve të papritura që ndodhin gjatë një viti të caktuar”. Dhe koha e sondazhit padyshim luan një rol kur ka një krizë. Sondazhi në Izrael u krye pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, por para pjesës më të madhe të luftës që pasoi. Pra, ndërsa vlerësimet e jetës ranë ndjeshëm, ato rezultate përbënin vetëm një të tretën e mesatares.
Raporti, përfshin gjithashtu një renditje për Palestinën në vendin e 103, megjithëse shtetësia e saj nuk njihet gjerësisht. Sondazhi u krye në territoret palestineze të Gazës dhe Bregut Perëndimor para ngjarjeve të 7 tetorit.
Holanda (nr. 6), Luksemburgu (nr. 8), Zvicra (nr. 9) dhe Australia (nr. 10) përfundojnë 10-shen e parë.
Shtetet e Bashkuara bien nga 20 vendet e para
Shtetet e Bashkuara (nr. 23) dhe Gjermania (nr. 24) ranë nga 20 të parat pjesërisht për shkak të rritjes së lumturisë midis vendeve të tjera, veçanërisht në Çeki (nr. 18), Lituani (nr. 19) dhe Slloveni ( nr. 21). Mbretëria e Bashkuar ishte në vendin e 20.
Ndërsa Lituania renditet e 19-ta këtë vit në listën e përgjithshme, mes të anketuarve nën 30 vjeç, ishte vendi nr. 1 më i lumtur në 2024. Për ata mbi 60 vjeç, Lituania u rendit në vendin e 44-të.
Në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, rezultatet e lumturisë nga njerëzit nën 30 vjeç ishin në mënyrë dramatike më të ulëta se ato të njerëzve të moshës 60 vjeç e lart. Në mesin e njerëzve nën 30 vjeç, SHBA renditej në vendin e 62-të, ndërsa për ata 60 vjeç e lart, ishte në vendin e 10-të. Kanadaja ishte në vendin e 58-të mes të rinjve dhe në vendin e 8-të për ata 60 vjeç e lart.
Australia dhe Zelanda e Re, panë gjithashtu renditje shumë më të ulëta midis të rinjve.
/monitor