Ngritja zyrtarisht e kërkesës legjitime dhe të drejtë të reciprocitetit në të drejta midis serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi në dialogun e Brukselit, është hapi që përfaqësuesit e Luginës së Preshevës kanë kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të përfshihet në planin franko-gjerman, të njohur edhe si plani evropian.
Përfaqësuesit politikë dhe institucionalë shqiptarë të Komunave të Luginës së Preshevës përmes një deklarate të përbashkët kanë kërkuar të drejta të barabarta siç parashihen për serbët në planin evropian.
Në dokumentin e siguruar nga Dukagjini, në pikën e parë ata kërkojnë realizimin e plotë të të drejtave kolektive të shqiptarëve, sipas standardeve më të larta të parapara me dokumentet përkatëse të OKB-së, Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, si dhe praktikave përkatëse, dhe adresimin e tyre në kuadër të Dialogut Kosovë-Serbi dhe propozimit evropian.
Ndër të tjera kërkohet edhe përfshirja e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit, me qëllim të barazimit të pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës me pozitën e serbëve në Kosovë.
Kjo deklaratë është nënshkruar nga përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të tri komunave të Luginës së Preshevës, deputeti i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi, kryetari i Këshillit Nacional shqiptar, Ragmi Mustafa, kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, kryetari i Kuvendit të Komunës së Bujanocit, Enver Ramadani, kryetari i Kuvendit të Komunës së Preshevës, Sami Salihu, kryetar i PDSH-së, Ragmi Mustafa, këshilltari i Komunës së Medvegjës, Femi Beja.
E njëjta nuk është nënshkruar nga kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi dhe kryetari i LPD-së dhe nënkryetar i Komunës së Bujanocit, Shqipërim Musliu.