Veprimtaritë e paligjshme të shqiptarëve janë vënë sërish në fokus të mediave britanike. “Kriminelët shqiptarë po tentojnë të kontrabandojnë armë në Britaninë e Madhe përmes një porti të Adriatikut, ku qeveria britanike është detyruar të forcojë sigurinë” – shkruhej në artikull.
Shkrimi i plotë:
Policia gjeti tetë pistoleta tip “Glock” me municione të fshehura në një furgon ushqimi në portin e Durrësit në bregdetin shqiptar mbrëmjen e së hënës. Armët u zbuluan nga policia shqiptare duke përdorur një skaner përpara se furgoni “Mercedes Benz” të nisej me një traget për në Ankona në Itali. Furgoni kishte targa të Mbretërisë së Bashkuar dhe, sipas policisë, ishte rrugës për në një adresë në Luton në Britani.
Shoferi i furgonit është arrestuar dhe po merret në pyetje nga policia, por pretendon se nuk ka njohuri për armët, sipas mediave shqiptare. Thuhet se ai i tha policisë se thjesht i ishte thënë që t’ua dorëzonte pakon ushqimore të afërmve britanikë të një shqiptari, të cilin ai pretendonte se nuk e kishte takuar kurrë më parë.
Durrësi, një port që po pëson një zgjerim të madh nga qeveria shqiptare, u identifikua si një burim i mundshëm kontrabande nga MB dhe Shqipëria vitin e kaluar, sipas një sasie e-mailesh të policisë të zbuluara në atë kohë.
E-mailet zbuluan se Forcat Kufitare planifikonin të dislokonin oficerë në Shqipëri për të ndihmuar në “përshtatjen” e planeve për zgjerimin e portit dhe për të këshilluar mbi masat e sigurisë që mund të merren për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe importin e kokainës në Evropë nga bandat e krimit të organizuar.
Ata treguan se roli i Forcave Kufitare do të fokusohej në portet shqiptare të Durrësit dhe Porto Romanos për të “vlerësuar trafikun e kontejnerëve, pasagjerët, portet dhe sistemet e IT të zbatimit të ligjit, dhe aftësitë aktuale operacionale që ekzistojnë brenda portit”.
Policia thotë se kriminelët shqiptarë kanë drejtuar pjesë të mëdha të tregut të kokainës në Mbretërinë e Bashkuar për dy dekadat e fundit, por, në vitet e fundit, kanë zëvendësuar gjithashtu vietnamezët si furnizuesit më të mëdhenj të kanabisit të rritur në Mbretërinë e Bashkuar përmes “fermave” të fshehura nëpër shtëpi dhe prona industriale.
Vjeshtën e shkuar, Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) paralajmëroi se një “numër i konsiderueshëm” shqiptarësh në Britaninë e Madhe kishin hyrë ilegalisht për të punuar në tregun “gri” ose për bandat e organizuara kriminale të drogës dhe po kthenin “qindra milionë paund” cash në vit në Shqipëri.
Shqiptarët përbënin rreth 1/3 e 45,000 emigrantëve që kaluan Kanalin me varka të vogla vitin e kaluar.
Burime policore bënë me dije se drejtuesi i furgonit është një 34-vjeçar nga Tirana, të cilit i janë sekuestruar furgoni dhe telefoni nga policia. Oficerët u njoftuan nga skaneri përpara se nga kontrolli i automjetit të zbuloheshin tetë pistoletat Glock.
Policia po përpiqet të gjejë pronarin e kompanisë që transporton mallra nga Shqipëria drejt BE-së dhe Britanisë së Madhe.
Një reporter lokal pohoi se shoferi i kishte thënë policisë se “një person i panjohur për mua [erdhi] me një kuti duke thënë se kishte nevojë për t’ia dorëzuar një të afërmi në MB”.
“Ai tha se brenda kutisë kishte ushqim për familjen e të afërmve të tij në Britaninë e Madhe. Sipër kutisë janë shkruar dy numra celularë të personit të cilit do t’i dorëzohet kutia”. Burimet e policisë shqiptare thanë: “Është thelbësore që të gjejmë personat e tjerë të përfshirë në këtë. Në këtë fazë, nga intervistimi ynë, shoferi mohoi të kishte dijeni për armët brenda automjetit të tij”.
Policia e Shtetit Shqiptar tha: “Është një hetim në vazhdim që përfshin disa agjenci ligjzbatuese. Për shkak të shqetësimeve të larta të këtij krimi, kjo çështje në Durrës tashmë do t’i kalojë prokurorëve vendas për t’u hetuar nga prokurorët specialë të SPAK-ut në Tiranë. Një komplot për të kontrabanduar tre pushkë sulmi AK-47 në Britani në një kuti korrierësh u ndalua nga autoritetet shqiptare në vitin 2017. Stafi i sigurisë gjeti armët në seksionin e ngarkesave të aeroportit të Tiranës pak çaste përpara se ato të ngarkoheshin. Ata ishin të mbështjellë me peshqir dhe celofan brenda një kutie DHL që përmbante gjithashtu rroba dhe letra.
Një ditë më parë u zbulua në Portin e Durrësit, furgoni me 8 pistoleta të tipit Glock të ambalazhuara në një kuti kartoni, të cilat kishin si destinacion Anglinë. Drejtuesi i mjetit, Jetmir Koloshi mohoi të kishte dijeni për to.
Furgoni u ndalua nga policia në vijën e dytë të kontrollit kufitar në terminalit të trageteve, ku më pas do të imbarkohej në tragetin e linjës Durrës-Ankona.