“Credit Suisse” ashtu si çdo vit ka përditësuar shifrat e pasurisë nëpër botë, sipas shteteve. Nga të dhënat e detajuara për Shqipërinë, të analizuara nga “Scan Intel” rezulton se pasuria e shqiptarëve fiksohet në 78 miliardë dollarë për vitin 2021, nga 66 miliardë dollarë që vlerësohej në vitin 2020-të. Kjo rritje e pasurisë me rreth 12 miliardë dollarë është nxitur në pjesën dërrmuese nga pasuria jo-financiare, pra nga pronat. Rritja e ndjeshme e çmimeve në tregun imobiliar ka “fryrë” kështu edhe pasurinë e shqiptarëve, sipas “Credit Suisse”.
Më konkretisht, sipas gjigandit zvicerian, pasuria financiare e shqiptarëve të rritur fiksohet pranë 5,411 dollarëve për vitin 2021, nga 4,561 dollarë që vlerësohej kjo pasuri gjatë vitit 2020-të. Pra, kemi të bëjmë me një rritje me rreth 850 dollarë për frymë na harkun e një viti, mesatarisht. Sa i përket pasurisë jo-financiare ndërkohë, që përfshin asetet e ndryshme të ngurta, ku pjesën dërrmuese e zënë pronat, pasuria mesatare për një të rritur në vendin tonë gjatë 2021-shit fiksohet pranë 31,130 dollarëve, nga 26,557 dollarë që vlerësohej gjatë vitit pararendës. Në këtë rast, pasuria e një shqiptari mesatar është rritur me 4,537 dollarë në harkun e një viti. Në rast se këtë shumë do ta vlerësonim për të gjithë të rriturit në vendin tonë, atëherë rezulton se pronat i`u kanë sjellë shqiptarëve një rritje të paurisë me rreth 9.5 miliardë dollarë gjatë vitit 2021. Kjo shumë përfaqëson rreth 80% të rritjes totale të pasurisë, pra duke përfshirë edhe atë financiare, sinjalizojnë shifrat e “Credit Suisse”. Madje, shifrat sinjalizojnë gjithashtu se pesha e pasurisë jo-financiare të një shqiptari mesatar është rritur gjatë 2021-shit, në 85.2%, nga 84.6% që ishte në 2020-tën. Këto të dhëna janë në linjë me një sërë indikatorësh të tjerë, të cilët bien dakord në një të përbashkët; se shqiptarët kanë prona, por jo para.
Në këtë vlerësim nuk është përfshirë viti 2022, pra viti aktual, ku indikatorë të ndryshëm, edhe ata zyrtarë, flasin për një shtrenjtim të mëtejshëm të çmimeve në tregun imobiliar, thuajse pranë 30% nëse e krahasojmë me fundit e vitit 2021, të cilit i referohet edhe banka zviceriane në këtë raport.
Në total, pasuria mesatare e shqiptarëve të rritur vlerësohet pranë 35,529 dollarëve, sipas konceptit të mesatares, nga 30,239 dollarë që vlerësohej në vitin 2020. Ndërkohë, nëse kalojmë te koncepti i medianës, shohim se shifra zbret ndjeshëm, në 17,613 dollarë për frymë. Kjo diferencë e ndjeshme mes mesatares dhe medianës tregon se pabarazia në vendin tonë është mjaft e lartë. Borxhi mesatar për frymë ndërkohë është ngjitur pranë 1,011 dollarëve, nga 880 dollarë që ishte gjatë 2020-ës, sinjalizojnë shifrat.
“Credit Suisse” zbërthen në këtë raport edhe pasurinë e shqiptarëve sipas shtresave të ndryshme. Kështu, 38% e popullsisë vlerësohet se ka një pasuri totale, pra duke përfshirë edhe pronat prej më pak se 10 mijë dollarësh. Pjesa më e madhe ndërkohë, rreth 55.5% vlerësohet se kanë një pasuri mes 10 mijë dhe 100 mijë dollarëve, dhe 6.4% vlerësohet se kanë një pasuri mes 100 mijë dhe 1 milionë dollarëve. Vetëm 0.1% e popullsisë vlerësohet të ketë një pasuri prej më shumë se 1 milion dollarësh. Krahasuar me vititn 2020, kjo shpërndarje nuk ka pësuar luhatje të mëdha. Në 2020-tën vlerësohet se 41% e popullsisë kishte një pasuri nën 10 mijë dollarë, 54.2% mes 10 mijë dhe 100 mijë dollarëve, 4.7% mes 100 mijë dhe 1 milion dollarëve dhe 0.1% mbi 1 milion dollarë.
Të dhënat tregojnë se pasuria globale fikoshet në 463.6 trilionë dollarë, ndërkohë që pasuria mesatare e një të rrituri në botë fiksohet pranë 87,463 dollarëve. Pra, me vetëm 35 mijë dollarë pasuri, shqiptarët janë 2.5 herë më të “varfër” se mesatarja globale.