Shqiptarët janë të varfër? Për blerje autoveturash nuk ka kursim… Në 9 muajt e 2021-it, u blenë më shumë se në gjithë vitin 2020

Të pasurit një automjet privat, edhe pas 30 vitesh demokraci ende vijon të shikohet si një formë “luksi”, ose si privilegj për shqiptarët. Në një kohë që në shumë shtete të botës automjetet kryesisht autoveturat private, i përdorin si mjetin për të shkuar në punë, në Shqipëri automjeti është më tepër si një objekt që tregon një tjetër nivel shoqëror apo një tjetër nivel jetese.

Por edhe pse shumica e shqiptarëve janë nën nivelin mesatar, dhe madje shumë prej tyre qahen dhe e konsiderojnë veten të “varfër”, kjo nuk i pengon ata që të blejnë një autoveturë qoftë ajo edhe e vjetër ose e përdorur.

Kjo shkaktohet nga dëshira për të lëvizur por sjell edhe konsumin e lartë të karburantit në vend dhe mos uljen e çmimeve, ndërkohë që nga statistikat është vërejtur se numri i automjeteve në qarkullim është rritur.

Statistikat

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), për nëntë muajt e parë janë regjistruar 52 357 automjete të reja.

Kjo shifër është afërsisht e barabartë me regjistrimet e reja të kryera për të gjithë vitin 2020. Në mënyrë specifike, numri i autoveturave është në rritje që në fund të 9-mujorit. Sipas DPSHTRR, për nëntë muaj janë regjistruar 44 427 autovetura, në rritje me 1.75% krahasuar me vitin e plotë 2020.

Po ta bëjmë krahasimin mbështetur në mesataren mujore, këtë vit rezulton se janë regjistruar çdo muaj 4936 autovetura, në rritje me 35.7% krahasuar me mesataren mujore të vitit të kaluar. Autoveturat përbëjnë rreth 85% të mjeteve të reja të regjistruara.

Afërsisht 39% e mjeteve të regjistruara i takojnë drejtorisë rajonale të Tiranës, me një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2020, kur në Tiranë ishin regjistruar rreth 39.5% e mjeteve të reja.

Numri i automjeteve në Shqipëri po rritet me ritme të shpejta. Kështu, vitin e kaluar u regjistruan rreth 52 mijë automjete të reja, ndërsa u çregjistruan në mënyrë të përhershme vetëm rreth 3200 të tilla.

Deri në mesin e këtij viti, në Shqipëri raportoheshin 711 359 automjete aktive ose të çregjistruara përkohësisht. Që nga fillimi i vitit e deri në fund të qershorit, numri i mjeteve që qarkullojnë është rritur me afërsisht 35 mijë mjete ose rreth 5.1%.

Problemi me trafikun

Duke qenë se automjetet janë të përqendruara kryesisht në qendrat e mëdha urbane, shtimi i numrit të tyre shton problematikat e lidhura me trafikun, parkimin dhe me ndotjen e mjedisit. Statistikat tregojnë se në pjesën dërrmuese mjetet e regjistruara në Shqipëri janë më të vjetra se 12 vjet.

Sipas DPSHTRR, 70% e mjeteve aktive në Shqipëri në mesin e këtij viti ishin të prodhuara para vitit 2009, ndërsa pothuajse gjysma e numrit total ishin të prodhuara para vitit 2005. Regjistrimi i mjeteve elektrike apo hibride në Shqipëri është ende në nivele krejt të papërfillshme dhe kryesisht ato përdoren nga bizneset.

Megjithë rritjen e shpejtë, statistikat e fundit tregojnë se Shqipëria është ende larg niveleve të Bashkimit Europian për sa i takon zotërimit dhe përdorimit të automjeteve.

Të dhënat e DPSHTRR-ja tregojnë se, vitin e kaluar Shqipëria kishte rreth 192 automjetesh për 1000 banorë, mbështetur në numrin e mjeteve që paguan taksën vjetore ose rreth 250 mjete për 100 mijë banorë, mbështetur në numrin e mjeteve aktive.

Me këto shifra, Shqipëria është larg vendeve më pak të motorizuara të BE-së. Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2019 Rumania (e fundit në renditje) kishte 357 automjete pasagjerësh për 1000 banorë, e ndjekur nga Letonia me 381 automjete për 1000 banorë dhe Hungaria me 390 automjete për 1000 banorë.

Në BE, shtete me nivelin më të lartë të motorizimit e ka Luksemburgu, me 681 automjete për 100 banorë, i ndjekur nga Italia me 663 automjete dhe Qiproja me 645 automjete.

/Burimi: Monitor.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *