Shqiptarët ‘kriminelë pasionantë’ ndaj mjedisit/ Në vetëm dy javë policia godet 51 raste, arrestohen 22 persona  

Policia e Shtetit njofton se gjatë dy javëve të para të muajit dhjetor janë evidentuar dhe goditur 51 raste të krimeve mjedisore dhe si rezultat janë arrestuar 22 shtetas, janë proceduar penalisht 32 të tjerë, si dhe janë shpallur në kërkim 3 persona.

Policia është duke ushtruar kontrolle masive në të gjithë territorin e vendit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e tentativave për prerje të paligjshme të pyjeve, ndërtime pa leje, ndotje të mjedisit, gërryerje të lumenjve dhe shkatërrim të strukturës së tokës, vepra penale këto që sjellin një dëm të madh për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, si dhe shkatërrimin e territorit.

Për parandalimin dhe zbulimin e tyre në të gjithë vendin, gjatë dy javëve të para të muajit dhjetor janë angazhuar 1024 forca policore.

Si rezultat i kontrolleve janë evidentuar dhe goditur 51 raste të krimeve mjedisore, konkretisht raste të ndërtimeve pa leje, prerjes së paligjshme të pyjeve, pushtimit dhe shpërdorimit të tokës, shkatërrimit të ujësjellësve, shkatërrimit të pronës, ndotjes së ajrit dhe ujërave, dëmtimit të habitateve në zonat e mbrojtura, menaxhimit të mbetjeve, gërryerjes së lumenjve dhe peshkimit të ndaluar.

Kontrolli masiv i territorit do të vijojë 24/7, me qëllim parandalimin, evientimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, në cilëndo fushë që ajo do shfaqet.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të kontribuojnë në kufizimin e dëmeve që i shkaktohen mjedisit, duke denoncuar çdo paligjshmëri, në numrin pa pagesë 112 dhe të dërgojnë njoftim apo imazhe në Komisariatin Dixhital, ku së fundmi janë bërë përmirësime dhe janë shtuar rubrika të reja për të denoncuar krimet mjedisore.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *