Shqipëria është shteti që ka çmimin më të lartë të karburanteve në Europë në bazë të të ardhurave për frymë dhe një prej vendeve me cilësinë e karburantit më të keq në botë.
Përveç kësaj, prej vitesh çmimi i karburantit në tregtimin me pakicë në vend ka qëndruar mjaftë i lartë edhe për shkak të futjes në të, të disa taksave të qeverisë.
Por nuk është kjo e vetmja gjë. Shoferët e automjeteve vidhen nga tregtuesit e pakicës si në cilësi ashtu edhe në sasinë e karburantit që blejnë.
E megjithatë, pavarësisht gjithë këtyre problemeve, sot drejtuesit e automjeteve nuk kanë denjuar që të protestojnë pas një thirrjeje që është bërë nëpër rrjetet sociale që prej ditës së djeshme, kundër rritjes së çmimit të naftës.
Protesta e ditës së sotme ishte paralajmëruar që drejtuesit të fiknin automjetet e tyre nga ora 12:00 deri në orën 15:00, në shenjë proteste për rritjen e çmimit të naftës, mirëpo askush nuk u solidarizua me protestën.
Iniciatorët e protestës që duket se kanë qenë të paorganizuar, kërkuan që çmimi i naftës të ulej nga 180-178 lekë që është aktualisht, në 150 lekë të reja.
Por ata që kanë dhe përdorin makina të shtrenjta në Tiranë dhe kudo në vend, duket se nuk e kanë aspak problem për paratë e karburantit të automjetit.
Ndërkohë, ky shtrenjtim i vazhdueshëm nga kompanitë grosiste të tregtimit të karburantit, duke mbajtur prej vitesh pozita oligopoli në treg dhe duke e pasur mirë edhe me qeverinë, ka bërë që në vend në formë zinxhir të shtrenjtohen edhe shumë shërbime dhe produkte jetike.
Megjithatë shqiptarët duket se nuk venë mend dhe janë mësuar me këto çmime që nuk i lënë të ngrenë kokë, në një kohë që oligarkët e karburanteve pasurohen çdo ditë dhe betonojnë Tiranën.
Por në shumë vende të botës edhe vitet e fundit ka pasur protesta deri të përgjakshme të popullit me qeveritë, pikërisht sapo çmimi i naftës rritet vetëm me pak cent, ndërkohë që shqiptarët duket se janë kapur nga sëmundja më e keqe dhe më e rrezikshme, indiferenca!
/Priza.al/