Shumica e popullsisë ka një mendim të ndryshëm nga ai që rreket të imponojë kasta dominante, e cila vrapon pas më të fortit.
Këto janë rezultatet e një ankete nga “Euronews” për periudhën 20-29 tetor 2021, kryer nga MRB dhe “Data Centrum” në nivel kombëtar me 1000 intervista ballë për ballë. Sipas saj, shqiptarët zgjedhin BE përpara SHBA.
Në rastin e një konflikti mes SHBA-së dhe BE-së, që nuk ka lidhje me Shqipërinë, shumica e shqiptarëve do të rreshtoheshin në krah të BE-së.
Pak më shumë se gjysma e qytetarëve (56,9%) mendojnë se Shqipëria duhet të pozicionohet pro BE-së dhe rreth një e treta (32,6%) pro SHBA-ve. Vetëm 6% mendojnë se në një konflikt të tillë Shqipëria duhet të jetë neutral.
Rezultatet, pjesë e një vrojtimi të “Euronews Albania”, mbi pritshmërinë e qytetarëve për anëtarësimin në BE, nuk tregojnë nëse këto preferenca janë fryt i politikave që SHBA ka ndjekur vitet e fundit ne Shqipëri, apo nëse kjo është një tendencë e kahershme.
Interesant është fakti se preferenca për Europën është më e fortë në moshat e reja.
Deri në moshën afërsisht 55 vjeç, dy herë më shumë shqiptarë duan rreshtimin në krah të BE-së.
Në moshat më të mëdha kjo diferencë ngushtohet dhe në moshën mbi 65 vjeç diferenca zvogëlohet ndjeshëm, duke treguar relativisht më shumë anësi nga SHBA-të në krahasim me moshat e tjera.
/Burimi: Euronews Albania/