Shqiptarët paguan 5.2 milionë euro për…SPAK

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur gjerësisht si SPAK, i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë për vitin 2022 plot 588 milionë lekë të rinj. Shifra financiare e barasvlershme me 5.2 milionë euro është totali i shpenzuar për institucionin me pritshmërinë më të madhe publike për rezultate domethënëse në hetimin e politikanëve të korruptuar dhe “peshqve të mëdhenj” të botës së krimit. Referuar raportit vjetor të punës së SPAK për vitin që lamë pas, pjesa më e madhe e kësaj shifre, plot 73% ka shkuar për pagat e prokurorëve, agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe administratës.

Në rang zbritës, për nga vlera vijnë shpenzimet për mallra, që nënkuptojnë kostot për të funksionuar dhe pasur eficencë të plotë në hetimin e krimit të organizuar dhe zyrtarëve të lartë të përfshirë në krim, për sigurimet shoqërore dhe shpenzimet kapitale.

Kostoja totale e SPAK për 2022-shin është rritur me 262 milionë lekë në krahasim me vitin paraardhës për shkak të plotësimit të strukturës së BKH me 60 agjentë e rrjedhimisht edhe rritjes së volumit të hetimeve.

Por këto shifra pritet të rriten edhe më shumë gjatë vitit 2023. Referuar programit buxhetor afatmesëm, të cituar në raport parashikimi buxhetor për vitin aktual shkon në gati 10 milionë euro./A2CNN

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *