Shqiptarët, “të refuzuarit” e Europës. Vetëm 5% të aplikimeve për azil u jepet statusi i mbrojtjes

Ndonëse shqiptarët janë të parët në rajon sa i përket kërkesave për azil dhe të dytët në botë në raport me popullsinë, shtetet e Europës hezitojnë që t’u japin atyre statusin e azilantit. Si një vend që synon të integrohet në Europë dhe që nuk ka konflikte civile, apo luftë, azilantët shqiptarë në pjesën më të madhe refuzohen të marrin statusin.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, vetëm 5% e aplikimeve nga azilantët shqiptarë marrin përgjigje pozitive, ndër më të ulëtat në Europë, së bashku me Gjeorgjinë dhe Kolumbinë.

E njëjta përqindje është dhe për vendimet finale, apo ato të apeluara.

Nga 480 vendime pozitive që u dhanë për azilantët shqiptarë në 2020-n, 310 ishin në Francë dhe 120 në Itali. Gjermania ka dhënë vetëm 10 të tilla dhe Irlanda 15. Zvicra ka akorduar 10 të tilla.

Një vit më parë në 2019-n, u morën 1050 vendime, 80% e të cilave nga Franca.

Statusi i azilantit në Europë

Në vitin 2020, Shtetet Anëtare të BE-së u dhanë statusin e mbrojtjes 281 000 azilkërkuesve nga e gjithë bota, me rënie me 5% krahasuar me 2019 (295 600), raporton Eurostat.

Ndër azilkërkuesit, të cilëve iu dha statusi i mbrojtjes në vitin 2020 në BE, 127 700 persona morën statusin e refugjatit (45% e të gjitha vendimeve pozitive), 80 700 iu dha mbrojtje humanitare (29%) dhe 72 600 mbrojtje plotësuese (26%) .

Numri më i lartë i personave që morën statusin e mbrojtjes u regjistrua në Gjermani (98 000 ose 35% të totalit të BE), përpara Spanjës (51 200 ose 18%), Greqisë (35 800 ose 13%), Francës (29 400 ose 10%) dhe Italia (21 300 ose 8%). Këto pesë shtete anëtare llogaritën së bashku për mbi 80% të të gjitha granteve të mbrojtjes të lëshuara në BE në vitin 2020.

Grupi më i madh i përfituesve të statusit të mbrojtjes në BE në vitin 2020 ishin sirianët (74 700 ose 27% e numrit të përgjithshëm të personave që u është dhënë statusi i mbrojtjes në BE), duke vazhduar trendin e vërejtur që nga viti 2012. Midis qytetarëve sirianë të cilëve u është dhënë statusi i mbrojtjes në BE, 60% morën statusin e mbrojtjes në Gjermani.

Venezuelianët (47 100 ose 17% e totalit të BE-së) renditën të dytët dhe 96% të aplikimeve të Venezuelës iu dha statusi i mbrojtjes në Spanjë.

Afganët (42 200 ose 15%) ishin shtetësia e tretë kryesore që përfitoi statusin e mbrojtjes. 35% e afganëve që morën statusin e mbrojtjes u regjistruan në Gjermani.

41% e aplikimeve morën statusin e mbrojtjes

Në vitin 2020, 521 000 vendime të shkallës së parë mbi kërkesat e azilit u morën në Shtetet Anëtare të BE-së dhe 232 800 vendime të tjera përfundimtare pas një apeli ose rishikimi. Vendimet e marra në shkallën e parë rezultuan në 211 800 vendime të statusit të mbrojtjes, ndërsa 69 200 persona të tjerë morën statusin e mbrojtjes si rezultat i apelimit ose rishikimit.

Shkalla e njohjes në nivelin e BE-së, d.m.th. pjesa e të gjitha vendimeve pozitive midis numrit të përgjithshëm të vendimeve, ishte 41% për vendimet e shkallës së parë. Për vendimet përfundimtare në apel ose rishikim, niveli i njohjes ishte 30%. Këto norma përfshijnë si statusin ndërkombëtar (d.m.th. statusin e refugjatit dhe mbrojtjen plotësuese) dhe atë të mbrojtjes kombëtare (mbrojtja humanitare bazuar në legjislacionin kombëtar).

Ndër njëzet shtetësitë kryesore që morën vendime të shkallës së parë në vitin 2020, Venezuelët (95%), Sirianët (85%) dhe Eritreanët (81%) kishin normat më të larta të njohjes, ndërsa Kolumbianët (2%), Gjeorgjianët (4%) dhe Shqiptarët (5%) kishin nivelin më të ulët, raporton Eurostat. /Monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *