Shqipëria është prekur ndjeshëm nga trafikimi i qenieve njerëzore dhe mbetet kryesisht një vend burim. Nga viktimat e trafikimit jashtë Bashkimit Europian të identifikuara në BE, shqiptarët janë grupi i dytë më i madh (pas nigerianëve). Midis këtyre viktimave, ka një përqindje të lartë të fëmijëve dhe të rinjve, ndërkohë që vajzat e moshës 14-18 vjeç kanë më shumë gjasa të shënjestrohen për trafikim seksual.
Kjo është ajo çfarë vërehet në një studim të kohëve të fundit të UNICEF dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar mbi marrëdhëniet ndërmjet viktimave të trafikimit dhe trafikantëve të qënieve njerëzore në Shqipëri. Një analizë e fundit e 99 rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore tregoi se 68 për qind e trafikantëve ishin ose anëtarë të ngushtë të familjes, ose kishin lidhje të ngushta shoqërore me viktimat.
Nga të 99 rastet, 31 përqind u raportuan se ishin raste ku të dashurit kishin shfrytëzuar viktimat, 25 përqind ishin miq të viktimës dhe 12 për qind përfshinin anëtarë të familjes. Në 19 për qind të rasteve viktimat janë shfrytëzuar nga njerëz që kishin takuar në mediat sociale. Studimi ngre pikëpyetje se ndonëse shqiptarët shpesh trafikohen nga dikush me të cilin ata janë të afërt, mbetet më tepër për t’u kuptuar mënyrat se si trafikantët rekrutojnë, shfrytëzojnë dhe kontrollojnë viktimat të cilat ata i njohin, si ndikohen marrëdhëniet pas arratisjes së viktimave dhe cili është niveli i cënueshmërisë së ritrafikimit.
Për këtë arsye janë intervistuar mes të tjerash të mbijetuar(a) të trafikimit dhe persona me njohuri mbi çështjen. Nga 30 të mbijetuarit(at) e intervistuar, 90% ishin femra dhe 10% meshkuj. 47% nga të mbijetuarit(at) e intervistuar ishin fëmijë në kohën e shfrytëzimit të tyre, 13% nga të mbijetuarit(at) u përkisnin pakicave etnike ndërsa (87%) e identifikuan veten si shqiptarë etnikë. Nga të mbijetuarit(at), 77% prej tyre ishin trafikuar brenda vendit ( në Shqipëri) ,zakonisht në qendrat kryesore urbane si Tirana dhe 7% ishin trafikuar më parë.
77% prej tyre ishin trafikuar për shfrytëzim seksual dhe 23% për punë të detyruar, duke përfshirë aktivitete kriminale dhe lypje.
Marrëdhëniet midis viktimave dhe trafikantëve
Studimi tregon se shumica e të mbijetuarve të trafikimit dhe konkretisht 84 përqind e të mbijetuarve ishin trafikuar nga dikush shumë i afërt me ta. Kështu, 47% përqind e tyre ishin trafikuar nga një partner intim (i dashuri, i fejuari, bashkëshorti).
27% prej tyre raportuan se trafikantët e tyre ishin miq të tyre. Ndërsa 10% identifikuan anëtarët e familjes, prindin/prindërit ose gjyshin/gjyshërit si trafikantët e tyre. Trafikantë të tjerë që u identifikuan ishin punëdhënësit (2; 7%), pronarët (1; 3%) dhe partneri intim i motrës (1; 3%).
Profilet e trafikantëve
Njëzet e tre nga 30 të mbijetuarit(at) e intervistuar (77%) identifikuan trafikantin(ët) e tyre si meshkuj dhe pesë (16.5%) thanë se trafikantet e tyre ishin femra. Në të pesta rastet, trafikantet femra ishin shoqe apo mike të viktimës. Të mbijetuarit(at) e intervistuar sugjeruan se trafikantët e tyre ishin me arsim të kufizuar. Vetëm pesë të mbijetuar(a) të intervistuar (16.5%) raportuan se trafikantët e tyre ishin të punësuar në kohën e shfrytëzimit të tyre. Shumë femra të mbijetuara të intervistuara të trafikuara nga partneri intim raportuan se e kishin takuar trafikantin në zonën e tyre.
Nga katërmbëdhjetë të mbijetuar(a) të intervistuar (47%) raportuan se trafikantët e tyre ishin të organizuar në grupe të vogla ose të mesme të krimit të organizuar,(40%) thanë se trafikantët e tyre kishin shfrytëzuar viktima të tjera, (20%) thanë se trafikantët e tyre ishin gjithashtu të përfshirë në trafikun e drogës dhe (10%) thanë që trafikantët e tyre ishin të përfshirë edhe në vjedhje ose grabitje. 13% raportuan se, përveç veprave penale të trafikimit të qenieve njerëzore, trafikantët e tyre ishin përfshirë gjithashtu në trafik droge dhe vjedhje ose grabitje.
Motivimet e trafikantëve
Të gjithë të mbijetuarit(at) e intervistuar raportuan se motivimi kryesor i trafikantëve të tyre ishte përfitimi financiar. Sipas tyre, trafikantët ishin ose shumë të pasur, ose shumë të varfër. Edhe trafikantët e përshkruar si të pasur u raportuan si të përfshirë në aktivitete të tjera kriminale. Trafikantët e përshkruar si të varfër shpesh përshkruheshin se kishin borxhe të grumbulluara për shkak të përfshirjes në lojërat e fatit ose varësisë ndaj alkoolit ose drogës, të cilat ata përpiqeshin t’i paguanin përmes shfrytëzimit të viktimave.
Taktikat e rekrutimit
Ky studim identifikon disa taktika të reja të përdorura nga trafikantët e qenieve njerëzore për të rekrutuar viktima të mundshme. Aktualisht, trafikantët e qenieve njerëzore në Shqipëri i vlerësojnë me kujdes cënueshmëritë dhe dëshirat e viktimave të tyre të mundshme, në mënyrë që të vendosin qasjen më të mirë për të krijuar një marrëdhënie me ta.
Trafikantët bëjnë gjithashtu përpjekje për të krijuar marrëdhënie me familjen e viktimës duke u futur në jetën e viktimës dhe duke fituar besimin e familjes. Trafikantët, veçanërisht meshkujt e rinj, krijojnë marrëdhënie romantike me viktimat e trafikimit seksual (veçanërisht vajzat adoleshente), duke u premtuar viktimave martesë dhe fëmijë së bashku. Raporti thekson qartë se një tregues i trafikimit të qenieve njerëzore sot në Shqipëri është natyra e nxituar e krijimit të një marrëdhënieje romantike.
Trafikantët futen shpejt në jetën e viktimës dhe familjen e tyre dhe më pas i zhvendosin viktimat me shpejtësi në një qytet tjetër ose jashtë shtetit.
Mediat sociale, mjet për trafikim
Mediat sociale po përdoren gjithnjë e më shumë si një mjet nga trafikantët meshkuj për të identifikuar viktima të reja femra të mundshme me të cilat mund të krijojnë një marrëdhënie të rreme përpara se t’i trafikojnë ato për shfrytëzim seksual në Shqipëri apo gjetkë. Autoret femra luajnë një rol shumë të rëndësishëm në veprat penale të trafikimit të qenieve njerëzore: ato veprojnë si mikesha e viktimës, por më pas i joshin ato drejt vendit të shfrytëzimit.
Shumë autore femra janë vetë ish-viktima të trafikimit. Për fëmijët që trafikohen nga anëtarët e familjes, nuk përdoren taktikat e rekrutimit, por përkundrazi, ata manipulohen nëpërmjet përgjegjësisë së fëmijës për të mbështetur financiarisht familjen dhe detyrohen të bëjnë punë shfrytëzuese.
Taktikat e kontrollit
Disa nga taktikat e kontrollit të identifikuara në studim janë ato që janë identifikuar më parë në literaturën mbi trafikimin e qenieve njerëzore. Trafikantët përdorin taktikat e kontrollit nëpërmjet kërcënimit, dhunës, izolimit dhe konfiskimit të dokumenteve të identitetit,udhëtimit dhe të telefonit, për të kontrolluar viktimat e tyre. Përveç kësaj, ata mund t’i bëjnë viktimat të binden përmes përdorimit të drogës në mënyrë të rregullt. Studimi zbulon disa gjetje të reja dhe të rëndësishme në lidhje me taktikat e kontrollit të trafikantëve ndaj viktimave.
I njohur për viktimën, trafikanti mund ta manipulojë më lehtë atë (se sa trafikantët që nuk njihen nga viktimat) përmes borxheve të pavërteta dhe kërcënimeve. Për shkak se viktima beson se është në një marrëdhënie, ose se janë miq të ngushtë me trafikantin, ajo bie dakord kur i thuhet se duhet të shlyejë një borxh të pavërtetë. Viktimat që e njohin trafikantin e tyre gjithashtu kontrollohen lehtësisht përmes kërcënimeve ndaj anëtarëve të familjes së tyre, sepse viktima e di që trafikanti është i vetëdijshëm për cenueshmëritë e tyre dhe ka adresën dhe të dhënat e tjera personale të anëtarëve të familjes. Trafikantët që njihen nga viktima gjithashtu mund ta kontrollojnë lehtësisht viktimën duke e ndarë atë nga familja.
Për shembull, trafikantët mund të krijojnë mosmarrëveshje midis viktimës dhe anëtarëve të familjes së tyre dhe, më vonë, ta bëjnë viktimën të kontaktojë me familjen për t’i thënë se janë shpërngulur jashtë shtetit me partnerin ose shokun e tyre intim (trafikantin) dhe nuk duan të komunikojnë më me familjen. Kjo e lë viktimën të ndjehet se nuk ka mbështetje familjare dhe, për rrjedhojë, të mos ketë ku të shkojë dhe të mos ketë askënd për ta ndihmuar. Për pjesëmarrësit në intervista që ishin trafikuar kur kishin qenë fëmijë, sipas tyre, në atë moshë ata kishin një kuptim të kufizuar të faktit se po shfrytëzoheshin.
“Trafikantët (shpesh anëtarë të familjes) thjesht e shfrytëzonin këtë mungesë njohurie dhe mirëkuptimi për t’i mbajtur fëmijët të bindur. Kërcënimet e vazhdueshme mbi fëmijën që detyrohet të jetojë në rrugë kanë një efekt të fortë dhe e pengojnë atë të largohet nga situatat e shfrytëzimit dhe abuzimit”vërehet në studim.Studimi tregon se viktimat që trafikohen nga dikush që ata e njohin mund t’i vonojnë përpjekjet për t’u arratisur për shkak të ndjenjave të detyrimit, dashurisë dhe dhembshurisë ndaj trafikantëve të tyre. Për fëmijët viktima, ndjenja e detyrimit ndaj familjes luan një rol shumë të rëndësishëm në hezitimin për t’i shpëtuar shfrytëzimit. Viktimat që trafikohen nga një partner intim përjetojnë mosbesim që janë shfrytëzuar nga dikush që ata e duan. Ata mund të shtyjnë çdo përpjekje për t’u larguar sepse shpresojnë se shfrytëzimi do të mbarojë dhe marrëdhënia e tyre me trafikantin do të kthehet si ka qenë më parë.
Nga ana tjetër, studimi identifikon se marrëdhëniet midis viktimave dhe trafikantëve mund të kenë efekt negativ mbi cenueshmërinë e viktimave ndaj ritrafikimit nga i njëjti autor. Fëmijët që trafikohen nga anëtarët e familjes dhe viktimat që trafikohen nga një partner intim, duket se janë në rrezik më të madh për t’u ritrafikuar nga i njëjti autor. Megjithatë, nëpërmjet shërbimeve mbështetëse gjithëpërfshirëse, viktimat mund të ndihmohen ta kalojnë traumën dhe të marrin vendimin që të ndërpresin çdo kontakt me trafikantin, duke ulur kështu cenueshmërinë e tyre ndaj ritrafikimit. Përpjekjet për të parandaluar fenomenin e trafikimit për të rinjtë shqiptarë (meshkuj dhe femra) mund të zvogëlojnë rrezikun e kryerjes së krimeve. Studimi tregon se meshkujt dhe femrat e reja shqiptare luajnë një rol kryesorë në veprat penale të trafikimit të qenieve njerëzore.
“Nëpërmjet edukimit në shkollë të mesme mbi treguesit e trafikimit të qenieve njerëzore, ndërgjegjësimit për dëmin që u shkakton trafikimi i qenieve njerëzore viktimave dhe dënimeve të rrepta në rast deklarimi fajtor, të rinjtë mund të frenohen për kryerjen e veprave të tilla në të ardhmen.
Në Shqipëri duhet të futen ose zgjerohen programe arsimore që të përmirësojnë aftësinë e prindërve për të folur me fëmijët e tyre për shëndetin seksual, dhunën dhe abuzimin seksual dhe marrëdhëniet e shëndetshme. Nga ana tjetër vërehet se agjencitë përkatëse qeveritare dhe OJQ-të duhet të përpiqen më shumë për të identifikuar familjet që jetojnë në varfëri, borxhe, abuzojnë me drogën dhe alkoolin ose dhunohen dhe për t’u ofruar këtyre familjeve mbështetje sociale dhe ekonomike. Anëtarët e familjes që trafikojnë fëmijët zakonisht shfrytëzojnë vetëm një ose dy prej tyre./GazetaSi