Shqiptarëve u rritet edhe kostoja e skuqjes së vezës… Ja arsyet pse u rrit çmimi i vajit të lulediellit me 60% në një vit  

Shqiptarët këto ditë po përballen me shtrenjtim të disa ushqimeve bazë të shportës, tëë cilat më shumë se tek kushdo ndikojnë tek familjet e varfra. Për disa produkte që vijnë kryesisht nga importi, çmimet janë rritur gradualisht dhe situata e fundit e fushatës zgjedhore ka bërë që këto shtrenjtime të kalojnë pa zhurmë dhe pa rënë në sy.

Por shtrenjtimi i disa produkteve ushqimore bazë si buka, vezët, mishi dhe vaji i gatimit kryesisht ai i lulediellit, kanë bërë që xhepat e shqiptarëve të boshatisen më shpejt, në një kohë që premtimet elektorale të forcave kryesore politike nuk i kanë në listën e tyre këto gjëra në dukje “minimale”.

Në lidhje me vezët dhe mishin, disa ekspertë ekonomie e kanë konsideruar këtë si rritje të përkohshme, për shkak të festave fetare si Pashkët katolike dhe ortodokse, Bajrami etj.

Ndërkohë ditët e fundit ka pësuar rritje përveç karburanteve edhe çmimi i bukës, ku në shumë zona të kryeqytetit buka masive 1kg nga 80 lekë po shitet për 100 lekë. Disa prej prodhuesve të bukës justifikohen edhe me shtrenjtimin e çmimit të vajit, për të cilën thonë se është rritur me shpejtësi muajt e fundit.

Shtrenjtimi i vajit të lulediellit   

Vaji i lulediellit është përbërësi kryesor i shportës për familjet e varfra. Rritja e çmimit të tij, do të përkeqësojë aftësinë blerëse dhe konsumin te këto shtresa. Çmimet e vajit për gatim panë një shtrenjtim të shpejtë në fillim të këtij viti, teksa shitësit me pakicë lajmërojnë rritje të mëtejshme gjatë vitit 2021. Pikat e pakicës morën furnizimet e reja me 220-250 lekë për litër.

Në harkun kohor të një viti, çmimi i një litri vaj është rritur me rreth 60%, duke shkuar në 250 lekë nga 157 lekë në shkurt të vitit të kaluar, në 190 lekë në janar 2021.

Sipas operatorëve kryesorë të tregut, shkak për këtë rritje është bërë mungesa e prodhimit të lulediellit në vendet kryesore prodhuese, si Rusia, Ukraina, Rumania, Bullgaria dhe Moldavia.

Mungesa e lëndës së parë ka rritur çmimet për importin e vajit të gatshëm dhe kostot për importet e gerxhos, për fabrikat që prodhojnë në Shqipëri.

Shtrenjtimi i vajit prej krizës mjedisore

Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve lajmërojnë se, furnizimet me vaj luledielli, në gjysmën e parë të vitit 2021, do të kufizohen për shkak të rendimenteve të dobëta të lulediellit nga prodhuesit e Detit të Zi. Rajoni u prek nga kushtet e thata gjatë sezonit të rritjes, duke rezultuar në rendimente më të ulëta sesa pritjet e tregut.

Deficiti i furnizimit do të vazhdojë gjatë gjysmës së parë të vitit 2021, i cili po reflektohet në nivelin e çmimeve. Furnizimi i kufizuar do të përkeqësohet nga vendimi i Rusisë, për të rritur taksat e eksportit për farat e lulediellit në 30% nga 9 janari deri më 30 qershor.

“Çmimi në bursë i vajit të përpunuar ushqimor është rritur 35-40%, pasi korrjet e lulediellit kanë qenë shumë të ulëta. Nga jashtë, vaji aktualisht vjen me çmim 1400 dollarë për ton, duke shtuar edhe 20% koston e TVSH-së, çmimi final është i shtrenjtë. Në këtë rast, shteti duhet të ulë TVSH-në e produkteve të shportës”,- tha përfaqësuesi i kompanie private të prodhimit të vajit.

Sipas të dhënave të INSTAT, importet u rritën 26,4% më shumë se në 2019. Rritja erdhi tërësisht nga importi i vajit të lulediellit, të përpunuar dhe ambalazhuar, pasi në Shqipëri nuk ekziston më industria e prodhimit.

Falimentimi i kompanive shqiptare

Operatorët kryesorë të prodhimit të vajit, janë kthyer në tregtarë të vajit të importit. Kompanitë pohuan se prej kohësh, në fabrikat e tyre vetëm sa paketohet vaji i përpunuar që vjen nga jashtë. Është më e leverdishme të importojnë vaj të botiluar ose të përpunuar dhe të bëjnë vetëm ambalazhimin.

Sipas bilanceve të deklaruara në QKB, të tjera kompani me qarkullime të larta vjetore kanë falimentuar. Vështirësitë janë të shumta edhe për sipërmarrësit që vite më parë investuan për rafineritë e përpunimit të vajit grexho.

Pamundësia financiare për të përballuar kostot i ka kthyer rafinuesit shqiptarë të vajit ushqimor në tregtarë importi. Tarifat e larta të vajit grexho, që importohet nga vendet e BE-së, kanë detyruar operatorët e përpunimit të fikin rafineritë dhe t’i transferojnë në Maqedoninë e Veriut.

Vendet kryesore nga importohet vaji janë: Bullgaria, Hungaria, Serbia dhe Ukraina. Prej 30 vjetësh, një kompani shqiptare importon vaj grexho (të parafinuar) nga Bullgaria, ndërsa përpunimin e bën në rafinerinë e Maqedonisë së Veriut.

Vaji importohet i përpunuar nga shteti fqinj dhe më pas paketohet në shishe në fabrika. Kompania ka filiale të shitjes në qytetet kryesore të Shqipërisë si: Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë etj.

Administratori i një tjetër kompanie vaji thotë se, për vajin në Shqipëri ka dy çmime referencë taksimi, për produkte që vijnë nga Europa dhe vendet jo anëtare. Për këtë arsye, prej vitesh ai importon vaj grexho nga një shtet anëtar i Bashkimit Europian, por e rafinon në Maqedoninë e Veriut.

/Burimi: Monitor.al/Përshtati: Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *