Dënim me një gjobë mbi 1.1 milionë euro 10 vjet burg janë vendosur nga gjykata e Bryzhit në Belgjikë për një 40-vjeçar shqiptar nga Kosova i cili njihet si kreu i një prej rrjeteve të më mëdha të trafikimit të emigrantëve shqiptarë.
Kalvari i 40-vjeçarit me drejtësinë belge nisi në pranverën e vitit 2019, kur policia hasi rregullisht shqiptarë në rajonin përreth Veurnes të Belgjikës ndërsa po mbahej nën përgjim një organizatë e madhe e kontrabandës së qenieve njerëzore. Ai organizonte kalime të sigurta ku emigrantët shqiptarë trafikoheshin në Mbretërinë e Bashkuar me bashkëpunimin e shoferëve të kamionëve.
Banda ishte përgjegjëse për 16 transporte përmes të cilave u kaluan 143 emigrantë drejt Britanisë së Madhe, sipas Prokurorisë. 40 vjeçari shqiptar nga Kosova, Adriatik H. U dënua me 10 vjet në mungesë më 29 korrik 2020 si drejtues i bandës dhe u ndëshkua me një gjobë prej 1.1 milionë euro. Të pandehurit e tjerë u dënuan deri në gjashtë vjet burg. Gjyqtari urdhëroi arrestimin e menjëhershëm të Adriatik H., i cili mësoi për dënimin e tij nëpërmjet policisë, transmetojnë mediat belge.
Sapo mbërriti në Belgjikë, shqiptari u përball me policinë, e cila e mori në pyetje duke i treguar bisedat telefonike të përgjuara. Por H. pohoi se nuk ishte zëri i tij ai që ishtë përgjuar. Shqiptari nuk ishte i pranishëm në gjyqin e tij të ri më 2 mars, teksa përmes avokatit të tij ai vijon të kundërshtojë faktet, ndonëse është vërtetuar se është kreu i bandës që trafikon emigrantë drejt Britanisë së Madhe. Avokatët e tij apeluan vendimin dhe tashmë pritet një gjyq.
Shqiptarët “ekspertë” të kultivimit të hashashit
Duket se shqiptarët janë kthyer në ekspertë të vërtetë të kultivimit të hashashit, jo vetëm në vendin e tyre por edhe jashtë kufinjve. Një lloj i ri emigracioni po haset në këta katër vitet e fundit. Natyrisht i parregullt, por që garantohet me klering nga trafikantët e qenieve njerëzore. Një burim pranë Departamentit kundër Krimit të Organizuar citon në anonimitet se trafikantë emigrantësh dhe të drogës po bashkëveprojnë për të thithur krahë pune dhe të rinj besnikë e të betuar për të bërë medoemos para.
Të dhënat tregojnë se të rinjve që ëndërrojnë dhe aspirojnë largimin nga Shqipëria, në disa raste që janë nën vëzhgim dhe përgjim, dyshohet se u është garantuar udhëtimi “falas” drejt Britanisë së Madhe me vetëm një kusht: Për të shlyer detyrimin e udhëtimit ata duhet të punojnë për trafikantë shqiptarë ose jo në këtë vend. Për muaj të tërë, ky lloj emigranti mbyllet me vullnetin e tij nëpër shtëpi, në të cilat kultivohet hashash me llamba eletrike dhe sipas sipërmarrjeve të organizuara.
Dëshira e madhe për t’u larguar
Tre dekada pas rënies së diktaturës staliniste të Enver Hoxhës dhe hapjes së kufijve të Shqipërisë, rreth 60 për qind e popullsisë së të rriturve në vendit thonë se duan të largohen, referuar një sondazhi të Gallup të botuar në dhjetor 2018, sipas një investigimi të BIRN.
Në qershor, rreth 49 për qind e shqiptarëve thanë se ishin në proces të përgatitjes së dokumenteve për të, sipas sondazhit të Barometrit Ballkanik të kryer nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal i Europës Juglindore.
“Duke folur përafërsisht, të rinjtë largohen sepse kanë humbur shpresën se do të jenë në gjendje të sigurojnë një të ardhme më të mirë për veten e tyre në vendin e tyre”, tha sociologu dhe profesori shqiptar Ergys Mërtiri.
“Ata përballen me vështirësi për të gjetur punë, standarde të ulëta jetese dhe mungesë perspektive dhe sigurie për të ardhmen”, tha Mërtiri për BIRN. “Shumë prej tyre largohen sepse gjykojnë se puna, aftësitë, njohuritë ose arsimimi i tyre nuk vlerësohen sa duhet në Shqipëri. Çdo ditë ata përballen me mungesë drejtësie në punësim, nepotizëm, etj, gjë që i bën ata të ndihen të pasigurt.”