Një 49-vjeçar shqiptar me banim në Anderlecht rrezikon 6 vite burg, pasi akuzohet për kontrabandë me qenie njerëzore. Në shkallën e parë ai u dënua me 15 muaj burg, sepse gjykata gjeti prova vetëm për 4 persona të kontrabanduar, nga 19 që ai akuzohej më parë.
Më 18 shtator 2020 dhe 22 janar 2021, përkatësisht katër dhe gjashtë shqiptarë u gjetën në një rimorkio në portin e Zeebrugge. Nga këqyrja e celularëve të tyre u zbulua se ata ishin në kontakt me Aleks B., 49-vjeçarin shqiptar, i cili prej 21 vitesh jeton në Anderlecht pa dokumente qëndrimi, ndërkohë që u arrestua në gusht 2021.
Ai mësohet se ka kontrabanduar gjithsej 19 persona në Mbretërinë e Bashkuar. Por gjykata ka konstatuar vetëm faktet e 18 shtatorit 2020 për katër persona dhe e ka dënuar me 15 muaj burg dhe 32 mijë euro gjobë.
Prokuroria publike apeloi pasi, sipas Prokurorit të Përgjithshëm, shqiptari nuk ka mësuar nga gabimet e së shkuarës. Aleks B., ishte dënuar tashmë me dy vjet burg për kontrabandë me qenie njerëzore në vitin 2014. Mësohet se prokuroria ka gjetur edhe rastet e tjera të kontrabandës të vërtetuara në bazë të hetimeve telefonike, ndaj edhe kërkoi 6 vjet burg dhe 152 mijë euro gjobë.