Është quajtur me nofkën “shqiptari më i urryer” në SHBA, por tani Martin Shkreli, sipërmarrësi farmaceutik shqiptaro-amerikan, është dënuar përjetë nga një gjykatë amerikane.
Bëhet me dije se, Shkreli është i akuzuar për rritjen astronomike të çmimit të një ilaçi që shpëton jetën.
Sipas medias prestigjioze “Reuters”, bëhet me dije se, shqiptari është përjashtuar përjetë nga industria farmaceutike dhe është gjobitur me 64.6 milionë dollarë nga një gjykatë amerikane.
Vendimi u mor nga Gjykatësja e Qarkut amerikan Denise Cote në Manhatan pas një gjyqi ku Komisioni Federal i Tregtisë i SHBA-ve dhe shtatë shtete kishin akuzuar Shkrelin, themeluesin e “Vyera Pharmaceuticals”, për përdorimin e taktikave të paligjshme për të mbajtur rivalët jashtë tregut.
Ajo tha se, skema e “Daraprim” ishte “veçanërisht e pashpirt dhe shtrënguese” dhe duhej një ndalim i përjetshëm, për shkak të “rrezikut real” se, Shkreli mund të bëhej sërish shkelës i rregullave.
“Sjellja antikonkurruese e Shkrelit, në kurriz të shëndetit publik, ishte flagrante dhe e pamatur”,- shkruan në vendimin e tij gjyqtari.
“Ai nuk është penduar. Ndalimi i tij nga mundësia për të përsëritur atë sjellje nuk është asgjë nëse jo në interes të drejtësisë”,- thuhet më tej.
Në një vendim prej 130 faqesh, Cote fajësoi Shkrelin, për krijimin e dy kompanive, Vyera dhe Retrophin Inc, të dizajnuara për të monopolizuar barnat, në mënyrë që ai të mund të përfitonte “mbi kurrizin” e pacientëve, mjekëve dhe shpërndarësve.
Bëjmë me dije se, Shkreli vuan dënimin me shtatë vjet burg për mashtrim me letrat me vlerë. Ai nuk mori pjesë në gjyq.
“Vyera” u themelua në vitin 2014 si “Turing Pharmaceuticals”, dhe bleu “Daraprim” nga “Impax Laboratories Inc”, në vitin 2015.
Rregullatorët akuzuan “Vyeran” për mbrojtjen e dominimit të “Daraprimit”, duke siguruar që prodhuesit e barnave gjenerike, nuk mund të merrnin mostra për versione më të lira dhe duke i mbajtur rivalët e mundshëm, nga blerja e një përbërësi kryesor.
Shtatë shtetet që iu bashkuan çështjes “FTC” përfshinin Kaliforninë, Illinoisin, New Yorkun, Karolinën e Veriut, Ohion, Pensilvaninë dhe Virxhinian.
/Priza.al/