Drejtori i policisë së Tiranës Tonin Vocaj ka mbajtur ditën e sotme një konferencë për media në të cilën ka bërë të ditur detajet e një operacioni policor të koduar “Shtëpia jeshile”. Një grup kriminal që shpërndante kanabis sativa është goditur teksa në pranga janë vënë tre persona.
Policia zbuloi një “shtëpi bari” dhe sekuestroi 61 kilogramë lëndë narkotike kanabis me vlerë 100 mijë euro.
Njoftimi i policisë:
Gjatë operacionit u godit një grup kriminal që ushtronte veprimtarinë në fushën e kultivimit të kanabisit, me anë të llambave, dhe të tregtimit të tij, në qytetin e Tiranës.
Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, bazuar dhe në inteligjencën informative se një grup kriminal shpërndante me shumicë, lëndë narkotike të llojit kanabis, referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila regjistroi procedimin penal.
Si rezultat i hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur identifikimi i këtyre shtetasve dhe lokalizimi i ambienteve që ishin përgatitur për të kultivuar bimë narkotike të llojit kanabis.
Bazuar në këto prova u organizua dhe finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Shtëpia jeshile”, në kuadër të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– E. P. alias E. B., 29 vjeç, banues në Tiranë;
– A. M., 44 vjeç, banues ne fshatin Mallkuç, Fushë-Krujë;
– G. M., 26 vjeç, banues në fshatin Mallkuç, Fushë-Krujë.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit A. M., në Mallkuç, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 61 kilogramë lëndë narkotike kanabis, e paketuar gati për shitje, me vlerë rreth 100 000 euro.
Gjithashtu, nga kontrolli u gjetën dhe u sekuestruan pajisje të ndryshme që shërbejnë për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura, si: llamba, aspiratorë, ventilatorë, filtra ajrimi etj, një shotgun, municion luftarak, shuma parash, 2 automjete dhe 3 aparate celulare.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 3 të arrestuarit, pasi kultivonin kanabis në banesën e shtetasit A. M., e paketonin dhe më pas e shisnin atë.
Ky operacion është bërë i mundur falë dhe bashkëpunimit me DVP Durrës.