Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka urdhëruar të gjitha strukturat policore të intensifikojnë kontrollet në ambientet e mbyllura që përdoren për kultivimin e lëndës narkotike tip kanabis. Këto të fundit njihen gjerësisht edhe si “shtëpi bari”.
Numri një i bluve, me anë të një njoftimi zyrtar të shpërndarë ditën e sotme, ka urdhëruar organizmin e grupeve të përbashkëta të kontrollit. Rrumbullaku ka theksuar nevojën për bashkëpunim me strukturat e OSHEE-së, duke qenë se kultivimi i kanabisit në ambiente të mbyllura, shpesh shoqërohet edhe me lidhje të paligjshme të energjisë. Kjo e fundit është e nevojshme për të bërë të mundur rritjen e lëndës narkotike, në mungesë të dritës.
“Në rast se nga agjenci të tjera ligjzbatuese, do të konstatohen bimë narkotike të kultivuara në terren të hapur apo në ambiente të mbyllura, përgjegjësia do të jetë mbi zinxhirin drejtues të drejtorisë dhe të komisariatit përkatës” – shkruhet ndër të tjera në njoftim.
Policia e Shtetit
Parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike, në terren dhe në ambiente të mbyllura, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku porosi drejtorëve të qarqeve dhe atyre të kufirit, për të kontrolluar ambientet e mbyllura të dyshuara për kultivim të kanabisit, për kontroll të përjavshëm të terrenit, për kontrolle në bazë të analizës së riskut në pikat e kalimit kufitar dhe për patrullime të shtuara në kufirin tokësor dhe në atë detar.
Drejtori i Përgjithshëm, porosi të gjitha strukturave policore:
-Intensifikoni kontrollet në terren dhe në ambiente të mbyllura;
-Mblidhni informacion, duke bashkëpunuar me qytetarët dhe agjencitë ligjzbatuese, për personat me tendencë në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike;
-Kontroll të përjavshëm të territorit, me grupe kontrolli dhe jo vetëm përgjegjësi e spz-ve, por e tërë strukturës policore në zonë;
-Organizoni grupe kontrolli të përbashkëta, me të gjitha institucionet që i ngarkon ligji;
-Kontrolle të imtësishme në pikat e kalimit kufitar, në kufirin tokësor dhe në atë detar, për parandalimin e futjes në Shqipëri, të farave të kanabisit dhe për parandalimin e krimeve ndërkufitare, në veçanti tentativën për trafikim të lëndëve narkotike;
-Intensifikoni bashkëpunimin me partnerët, në nivel vendor, rajonal dhe qendror, duke organizuar patrullime të përbashkëta, si në det ashtu edhe në tokë, për të parandaluar dhe goditur krimet ndërkufitare.
-Bashkëpunoni me OSHEE-në në qarqe, për të evidentuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike.
-Në rast se nga agjenci të tjera ligjzbatuese, do të konstatohen bimë narkotike të kultivuara në terren të hapur apo në ambiente të mbyllura, përgjegjësia do të jetë mbi zinxhirin drejtues të drejtorisë dhe të komisariatit përkatës;
-Organizoni takime masive, duke bërë pjesë nxënësit e shkollave dhe qytetarët, me qëllim sensibilizimin për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve, për denoncimin e kësaj veprimtarie.
Gjatë muajit janar dhe muajit shkurt, janë goditur në Durrës, në Fier dhe në Vlorë, 3 vila, me 5 kate (16 dhoma), të përshtatura për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave, si dhe një magazinë në Kropishtë të Selenicës, gjithashtu e përshtatur për kultivim.
-Janë arrestuar 13 shtetas, nga këta 8 punonjës të OSHEE-së, si dhe janë shpallur në kërkim 3 shtetas të tjerë.