Sulmi i Rusisë në Ukrainë ndodhet në një pikë kritike ndaj Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nuk duhet ta humbasin përqëndrimin në konfliktin e gjatë tre mujor, tha të mërkurën Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, gjatë një takimi në Bruksel me pjesmarrjen e një numri të madh ministrash të mbrojtjes.
Takimi, krahas ministerialit të Mbrojtjes të NATO-s, u përqendrua tek furnizimet me armë ppër Ukrainën. Kjo është hera e tretë, që grupi me pjesëmarrjen e afro 50 vendeve, takohet për të diskutuar dhe koordinuar ndihmën për Kievin. Takimi i mëparshëm, ishte zhvilluar në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, në muajin prill.
Ukraina ka nevojë për 1,000 armë artilerie të rëndë (howitzers), 500 tanke dhe 1,000 dronë, krahas armatimeve të tjera të rënda, tha të hënën këshilltari i presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podolyak. Vendet perëndimore kanë premtuar armë të standardeve të NATO-s, përfshirë raketa të përparuara të prodhimit amerikan.
Por dislokimi i tyre kërkon kohë dhe Ukraina ka nevojë për furnizime të vazhdueshme, para se të fillojë të përdorë sistemet e reja, ndërsa arsenali i armëve dhe municioneve të epokës sovjetike, pakësohet.
“Nuk e kemi luksin të ulim ritmin. Rreziqet janë shumë të mëdha“, tha zoti Austin në fillim të takimit në Bruksel.
“Ne duhet të intensifikojmë angazhimin tonë të përbashkët për vetëmbrojtjen e Ukrainës dhe duhet ta nxisim veten edhe më shumë për t’u siguruar që Ukraina të mund ta mbrojë veten, qytetarët dhe territorin e saj”, shtoi zoti Austin.
Para fillimit të takimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se aleatët do të vazhdojnë ta furnizojnë Ukrainën me artileri të rëndë dhe sisteme raketash me rreze të gjatë veprimi dhe se ai pret që ata të bien dakord për një paketë të re ndihmash për Kievin, gjatë takimit të NATO-s që mbahet po këtë muaj.
“Ndonjëherë këto përpjekje kërkojnë kohë. Kjo është pikërisht arsyeja se pse është e rëndësishme që të kemi një takim si ky i sotmi. Për t’u takuar me përfaqësuesit e Ukrainës, për të identifikuar sfidat dhe çështjet që ata do të donin të ngrinin me ne“, tha zoti Stoltenberg./ VOA