Ekspertët sugjerojnë, se sistemet e taksave dhe normat e pronësisë së shtëpive, luajnë rol të rëndësishëm në pabarazitë e pasurisë, midis të pasurve dhe të varfërve.
Pabarazia e pasurisë, është shumë e dukshme në mbarë botën dhe Europa nuk bën përjashtim: 10% më të pasurit në kontinent, zotërojnë 67% të pasurisë, ndërsa gjysma e poshtme e renditjes, zotëron vetëm 1.2% të saj.Shkalla në të cilën pasuria shpërndahet në mënyrë të pabarabartë, ndryshon gjithashtu në mënyrë të konsiderueshme nga vendi në vend, siç tregohet nga Credit Suisse dhe Raporti Global i Pasurisë së UBS 2023.
Vlera neto ose “pasuria”, përkufizohet si vlera e aktiveve financiare plus asetet reale (kryesisht banesat), që zotërojnë familjet, minus borxhet e tyre. Shpërndarja e pabarabartë, matet me koeficientin Gini: sa më i lartë të jetë koeficienti Gini, aq më shumë pabarazi pasurie ka, ku 0 përfaqëson barazi të plotë.
Midis 36 vendeve europiane të studiuara, pabarazia e pasurisë në vitin 2022, varionte nga 50.8 në Sllovaki, në 87.4 në Suedi. Duke përjashtuar Islandën, pabarazia e pasurisë, ishte mjaft e lartë në të gjithë vendet nordike. Finlanda, Danimarka, Norvegjia dhe Suedia, u renditën në gjysmën e parë të tabelës, me Suedinë që kryeson listën. Gjermania kishte rezultatin më të lartë të pabarazisë së pasurisë (77.2) midis “katër fuqive të mëdha” ekonomike të BE-së, e ndjekur nga Franca (70.3), Spanja (68.3) dhe Italia (67.8). Mbretëria e Bashkuar, kishte rezultat prej 70.2.
Belgjika (59.6), Malta (60.9) dhe Sllovenia (64.4), pasuan Sllovakinë me pabarazinë më të vogël të pasurisë.
Në Shqipëri, pabarazia e pasurisë është më e lartë se në Malin e Zi, Itali dhe Greqi, por më e ulët se në Serbi. Në vendin tonë, koeficienti Gini është 68.6.
Pabarazi të mëdha mes më të pasurve
Duke parë dhjetëshen më të pasur në vitin 2022, Suedia kishte pabarazinë më të madhe të pasurisë, ku 10% zotëronin 74.4% të pasurisë. Belgjika kishte vlerën më të ulët të pabarazisë. me 43.5%.
Në fakt, dhjetëshja më e pasur, zotëronte mbi gjysmën e pasurisë në çdo vend, përveç Belgjikës.
Midis ‘katërsheve të mëdha’ të BE-së, Gjermania kishte pabarazinë më të madhe të pasurisë, ku 10% më e pasur zotëronin 63% të pasurisë, e ndjekur nga Franca (54.9%), Spanja (53.8%) dhe Italia (53.5%). Britania e Madhe, kishte një shifër më të ulët se të katër vendet me 53.3%.Duke përjashtuar Gjermaninë, dhjetëshja më e pasur në katër fuqitë ekonomike të Europëse kishte shifra relativisht më të ulëta të pabarazisë midis 21 vendeve.Renditja mbetet kryesisht e pandryshuar, kur krahasohet pjesa më e madhe e pasurisë prej 5% me 10% të lartë. Suedia kryesoi, me 5% të më të pasurve, që zotëronin 60.3% të pasurisë, ndërsa Belgjika kishte pabarazinë më të ulët të pasurisë, me 5% të lartë, që zotëronin 30.8% të pasurisë.
Duke parë 1% më të lartë, Turqia kishte shifrën më të lartë me 39.5%, e ndjekur nga Çekia (37.8%), Suedia (35.8%) dhe Gjermania (30.%).1% më të lartë në Belgjikë, ishte shumë më e ulët se mesatarja, me 1% më të pasur, që zotëronin vetëm 13.5% të pasurisë atje. Shifra tjetër më e ulët, ishte 19% në Portugali.
Pse Suedia është në krye të pabarazisë së pasurisë?
Mund të jetë surprizë, të shohësh vendet nordike në përgjithësi, që shënojnë kaq shumë për pabarazinë e pasurisë, veçanërisht pasi ato, duket se performojnë shumë mirë në indekse të tjera, si mirëqenia, të ardhurat e disponueshme dhe vlerat demokratike.Sistemi i taksave, është arsyeja më domethënëse, pse Suedia në veçanti shkon kundër, sipas Dr. Lisa Pelling, drejtuese e institutit kërkimor me bazë në Stokholm, Arena Idé.
“Gjatë dekadave të fundit, kemi hequr një sërë taksash mbi pasurinë,” tha ajo. “Në Suedi, për momentin nuk ka taksë mbi pasurinë. Gjithashtu nuk ka taksë për trashëgiminë, dhuratat dhe pronën.”
Ajo tha se kompanitë e suksesshme ndërkombëtare suedeze, të cilat kanë përfituar nga investimet, që janë bërë me paratë e taksapaguesve, nuk po i kthejnë ato fonde.
“Ne kemi edhe taksa shumë të ulëta për kompanitë. Kjo do të thotë, se ka shumë mundësi, që njerëzit e pasur të pasurohen edhe më shumë”, shtoi Pelling./ Monitor