Baret dhe restorantet kanë zhvilluar aktivitetin e tyre në mënyrë të kufizuar për shkak të masave anti-Covid. Pas protestës së sipërmarrësve, qeveria ka zgjatur orarin e lejimit të muzikës deri në orën 23:00 duke nisur nga 20 korriku.
Ata protestuan për shkak se kufizimi i orarit ka sjell humbje të konsiderueshme për bizneset. Madje të revoltuar, një pjesë e tyre në Vlorë shprehën shqetësimin se autoritetet mbyllin njërin sy për sipërmarrësit e mëdhenj.
“Sigurisht që do të ndihmojë bizneset tona, por nuk besoj se do të ishte problem edhe nëse zgjatej në orën 24:00. Jemi në kulmin e sezonit dhe përkon me një periudhë që për ne sjell më shumë të ardhura. Nuk e dimë se si do të jetë dimri. Mund të mbajmë muzikën në sfond ndoshta edhe përtej kësaj fashe orare të paktën deri në orën 1:00”, thotë një sipërmarrës.
Por, mbyllja e club-eve të natës që prej nisjes së pandemisë dhe ndalimi i muzikës ka prekur veç bizneseve të argëtimit edhe vetë ata që luajnë muzikë, DJ, që kërkojnë lehtësim të masave.
“Kufizimi i orarit duket krejt i paarsyeshëm. Një tjetër problem lidhet me standardet e dyfishta që autoritetet ndjekin. Një javë më parë isha në Dhërmi dhe në orën 10 policia erdhi ndaloi muzikën në një nga bizneset, teksa në një tjetër lokacion pak më tutje vazhdonte të lejohej. Duhet që të zgjaten oraret e shqiptarët të qëndrojnë këtu me pushime, mos të kenë nevojë të shkojnë në Mal të Zi ku nuk ka kufizime të tilla”, thotë dj. Dorian Gjergji.
/Priza.al/