Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vizituar Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ka takuar 5 mjekët e rinj specializantë, që i janë bashkuar ekipit të këtij spitali.
“Jam e bindur që mjekët e rinj do t’i plotësojnë këto nevoja të shtuara edhe përgjatë fluksit të verës padyshim që është nevojë për të pasur më shumë mjekë të atashuar. Por mbi të gjitha, edhe në kuadër të programit tonë të përgatitjes së mjekëve specialistë, edhe të hapjes së specializimeve çdo vit; janë më shumë se 1700 kuota të specializimeve që janë hapur në këto 8 vite. Edhe çdo vit përfundojnë mjekë të rinj specializimin, duke u atashuar pranë spitaleve rajonale. Këtë vit kemi 100 mjekë të rinj të cilët tashmë janë atashuar në spitalet tona nga veriu në jug. Jo vetëm në spitalet rajonale por edhe në spitale bashkiake. Lajmi i mirë për Vlorën, është që i shtohen 5 mjekë specialistë, kardiolog, neurolog, imazherist, pediatër dhe urgjentist”, tha Manastirliu.
Duke theksuar që investimet në Vlorë do të vijojnë, Manastirliu tha: “Kemi bërë dhe vijojmë të bëjmë investime në spitalin e Vlorës për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve. Ne kemi investuar në reanimacionin e spitalit, ku është një ndër reanimacionet më të mira që kemi ndër spitalet rajonalë. Por nuk nuk ndalemi këtu. Edhe këtë vit ne kemi parashikuar që të investojmë në këtë spital. Duam që të bëjmë një qendër të imazherisë që i përket gjithmonë shërbimit ambulator, të Dispanserisë, duke rehabilituar një njesi të veçantë që do i shërbejë shërbimit ambulator dhe gjithashtu dhe Shërbimin e Farmacisë me depon e re farmaceutike në këtë spital”.
Janë 100 mjekë specialistë të atashuar pranë spitaleve rajonale dhe bashkiake. Më konkretisht, 10 mjekë të specializuar në qarkun e Dibrës, duke përfshirë edhe spitalin e Bulqizës edhe të Burrelit. Do të jenë 13 mjekë të specializuar për qarkun e Lezhës; 12 mjekë të specialistë në qarkun e Korçës; 11 mjekë specialistë në qarkun e Gjirokastrës; po ashtu mbi 8 mjekë në qarkun e Kukësit, Shkodrës, Vlorës, Beratit, Durrësit, Elbasani, etj.