Pas marrëveshjes së nënshkruar në mbledhjen e dy qeverive në nëntor të vitit 2021, Shqipëria dhe Kosova kanë tashmë një pikë tjetër të përbashkët kufitare Shishtavec-Krushevë, ndërsa shumë shpejt pritet që banorët e zonave të brezit kufitar të lëvizin lirshëm në të dy shtetet. Në ceremoninë e hapjes kanë marrë pjesë Ministrat e Brendshëm të të dy vendeve, Bledi Çuçi e Xhelal Sveçla, si dhe drejtuesit e policisë në Shqipëri e Kosovë.
“Në axhendën tonë të përbashkët të filluar me nënshkrimin e tre marrëveshjeve, ky është një nga hapat e rëndësishëm të jetësimit të këtyre marrëveshjeve. Duhet ta konsiderojmë një vend, jo të huaj, por një vend që përkohësisht kemi disa regjime që na e ndërlikojnë pak lëvizshmërinë, por shumë shpejt ne do t’i heqim dhe jam besimplotë se brezi jonë do ta jetojë dhe do ta shijojë këtë vizion që kemi në mendje dhe në vullnetin e dy qeverive në Shqipëri dhe Kosovë”, tha ministri Çuçi.
Në vijim të fjalës së tij ministri Çuçi theksoi gjithashtu se hapja e kësaj pike të përbashkët kufitare do të çlirojë potencialet e zhvillimit turistik të zonës.
“Të dyja anët e kufirit janë zona me potenciale të jashtëzakonshme të zhvillimit të turizmit, që mund të frekuentohen nga turistë të të dy vendeve, por edhe nga turistë të huaj që nuk janë të paktë në këtë zonë”, tha Çuçi.
Ministri i Brendshëm i Kosovës u shpreh se hapja e kësaj pike të re të përbashkët kufitare është dëshmi e vullnetit të dy qeverive në Tiranë e Prishtinë për t’i tejkaluar të gjitha pengesat dhe për t’i lehtësuar jetën qytetarëve.
“Deri sot kjo pikë kufitare ka qenë e kategorisë C. Nga sot kalon në kategorinë B. Kjo do të thotë se nga një punë me orar, tashmë do të kemi një pikë kufitare që do t’i shërbejë qytetarëve 24/7. Duke kaluar në kategorinë B do të kemi një pikë kufitare që do t’u shërbejë edhe shtetasve të vendeve të treta”, tha ministrri Sveçla.
Të dy ministrat nënshkruan më pas një Protokoll për Kryerjen e Veprimtarive të Përbashkëta të Kontrollit Kufitar në Shishtavec-Krushevë. Grupet e punës së dy Ministrive të Brendshme në Shqipëri e Kosovë po punojnë për zbatimin e marrëveshjes së tretë të nënshkruar në mbledhjen e përbashkët të qeverive në muajin nëntor 2021. Kjo marrëveshje do të mundësojë lëvizjen e lirë të banorëve të zonave të brezit kufitar, 30 km në brendësi të Shqipërisë dhe 30 km në brendësi të Kosovës.