Blegtorët dhe fermat janë në rrezik falimentimi nga mospërballimi i kostos të mbajtjes të bagëtive.
Çmimi i qumështit si lëndë e parë, po blihet më shtrenjtë se asnjëherë nga fabrikat e përpunimit, sepse kostot e fermerëve dhe blegtorëve janë rritur pa fund.
Për të ndaluar ikjen e blegtorëve fabrikat e qumështit janë të detyruara ta blejnë më shtrenjtë qumështin. Shtimin e kostove përpunuesit po e amortizojnë në rritjen e çmimeve të produkteve të bulmetit. Secili operator në treg këtë vit ka rritur të paktën 2 herë çmimet.
Shoqata “Industria e Përpunimit të Qumështit” ngre shqetësimin se kjo situatë po rrezikon edhe falimentimin e fabrikave të përpunimit të qumështit. Drejtori ekzekutiv i shoqatës Aldo Hoxha tha për “Monitor” se qumështi i lopës është 31% më i lartë, i deles 33% dhe i dhisë 50%.
“Fabrikat sot po e blejnë qumështin me çmimin më të lartë që është blerë ndonjëherë, sepse fermat dhe fermerët janë në situatë falimenti, nga rritja e çmimeve dhe kostove për çdo aktivitet që kryejnë për blegtorinë. Bashkë me ta do të falimentojë edhe i gjithë sektori përpunimit të qumështit. Maksimalisht me para qumështi i lopës është blerë nga fabrikat 58-59 lekë/litër me TVSH, kurse tani po blihet maksimalisht 76-77 lekë/litër me TVSH. Qumështi i deles më parë është blerë maksimalisht me 90 lekë me TVSH, kurse tani po blihet 120 lekë/litër me TVSH. Kurse çmimi maksimal i qumështit të dhisë ishte 60 lekë me TVSH, kurse tani po blihet 90 lekë me TVSH. Nëse fabrikat e përpunimit nuk e blejnë me këtë çmim, ata falimentojnë dhe do të largohen nga sektori. Nëse largohen blegtorët, automatikisht jemi të falimentuar dhe ne. Sektori është në situate dramatike edhe nga informaliteti i lartë baxhove dhe qumështi i rrugës që po na dëmton përditë dhe më shumë”, veçon z. Hoxha.
Sipas tij rritja e çmimit të qumështit ka ardhur nga rritja e kostove të mbajtjeve të bagëtive. Në kahun tjetër përpunuesit përveçse po blejnë qumështit më shtrenjtë po vuajnë edhe rritjen e kostove nga çmimi i energjisë, gazit, plastikës dhe naftës.
“Situata me kostot është shumë e vështirë. Çdo gjë është rritur në lidhje me çmimin e lëndës së parë, naftës, gazit, plastikës, energjisë elektrike. Përveç kësaj fabrikat po blejnë qumësht me çmim shumë herë më të lartë, sepse blegtorëve u janë 2-3 fishuar çmimet e lëndës së parë ushqyese për kafshët. Çmimi i misrit është 3-fishuar, soja 2-fishuar, jonxha 3 -fishuar. Inputet bujqësore kanë shkuar 250% rritje (nitrati, ureja, fosfati). Po ju sjell vetëm një shembull. Një fermë në vitin 2021 shpenzoi 1,100,000 lekë për inpute bujqësore për të mbjelle tokat e veta. Po e njëjta fermë, për të mbjellë të njëjtën sipërfaqe në vitin 2022, shpenzoi 3,700,000 lekë”.
Përfaqësuesi i shoqatës Industria e Përpunimit të qumështit thekson se nëse vazhdon kjo situatë dhe nuk ka ndërhyrjet e duhura nga ana e qeverisë, atëherë sektori vendas i përpunimit të qumështit nuk do të jetë konkurrues në treg përballë produkteve të importit dhe normalisht do të shkojë drejt zhdukjes së plotë. Në këtë situate sipas shoqatës është e domosdoshme plotësimi i kërkesave të vazhdueshme të sektorit, si:
1- Subvencionim direkt tek blegtori 10 lekë për çdo litër qumësht të prodhuar që dorëzohet në pika grumbullimi dhe përpunimi të licencuara, dhe jo për krerë bagëtie.
2- TVSH 6% në shitje në sektorin e përpunimit të qumështit
3- Përafrim me skemat e mbështetjes që rajoni jep për fermerët./Monitor