Ish-kreu i bandës së Vlorës në ’97, Myrteza (Zani) Caushi, është paraqitur në Gjykatën e Korçës për të kërkuar për llogaritjen e ditëve të burgimit. Seanca e sotme është shtyrë për në datën 25 mars, pasi mungonte gjyqtarja. Kjo është seanca e disatë që po zhvillohet për këtë çështje në Gjykatën e Korçës. Caushi ka bërë një tjetër kërkesë për lirim me kusht. Ai kërkoi lirimin pas 25 vitesh burgim duke pretenduar se është rehabilituar dhe se është familjar.
Caushi gjithashtu kërkoi që t’i njihen vitet në paraburgim dhe të lirohet. Avokati i tij pretendon se Caushi ka kryer 31 vite burgim dhe ndaj i lind e drejta për lirim me kusht.
Zani Caushi do të mbahet mend edhe si kreu i bandës kriminale me të cilin ish kryeministri italian asokohe Romano Prodi pati një takim për rivendosjen e rregullit në Shqipëri dhe krijimin e qeverisë së pajtimit. Myrteza Caushi ishte kreu i një prej bandave në qytetin e Vlorës, gjatë trazirave të vitit 1997.
Gjatë vitit 1997 Caushi ishte i dënuar në një burg të sigurisë së lartë në Greqi, nga ku u arratis. Caushi arriti të arratisej gjatë një revolte. Ai ishte i dënuar nga drejtësia e Greqisë me 101 vjet burg për vrasje. Gjatë periudhës së viteve 1997-1998 u deklarua kundërshtar i Sali Berishës dhe u bë krah i djathtë i Komitetit të Shpëtimit të Vlorës.
Ai dhe banda e tij akuzohen për krime të rënda në Vlorë. Në Vlorë gjatë trazirave të vitit 1997, u formuan 5 banda. Tre prej tyre ishin rivale me atë të Zanit, Banda e Gaxhait, Banda e Kakamit dhe Banda e Pusit të Mezinit. Gjatë përplasjes me bandat e armatosura Zani Caushi ka humbur tre vëllezërit. Kulmin e influencës së tij në popull, Zani e tregoi vetëm 15 ditë pas tragjedisë së “Otrantos”, kur kryeministri Italian, Romano Prodi zbarkoi në Vlorë.