Vetë Fatmir Mediu nuk ka qenë i pranishëm në seancë, por është përfaqësuar nga 2 avokatët e tij.
Ndërkohë burime bëjnë me dije se seanca paraprake në GJKKO për Fatmir Mediun është shtyrë për shkak se mungojnë prokurorët e çështjes pasi ndodhen me shërbim jashtë vendit.
Prokurorët kanë njoftuar GJKKO se nuk janë në Shqipëri. Në këtë seancë do të vendosej nëse di te kalohej dosja për gjykim siç kanë kërkuar prokurorët pas mbylljes së hetimeve për Mediun.
Ndërkohë seanca e radhës është lajmëruar se do të mbahet në datën 23 ora 14:00.
Mediu u mor i pandehur nga SPAK i cili mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim çështjen ndaj ish ministrit, në lidhje me shpërthimin e ndodhur në Gërdec.
Në njoftimin e SPAK thuhej se në përfundim të hetimeve është vendosur që çështja të dërgohet në GJKKO, me akuzën e shpërdorimit të detyrës kryer në bashkëpunim.
“Në përfundim të hetimeve paraprake është paraqitur në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesë për dërgimin në gjyq të çështjes penale nr.279 viti 2021, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal”, thuhej në njoftim.
SPAK bëri me dije se është vendosur ndarja e çështjes penale, për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, për të cilat hetimi është ende duke u zhvilluar.