Është shtyrë për hetë të dytë seanca ndaj Ajas Sulejmanit për tu njohur me masën e sigurisë. Si ditën e martë, edhe këtë të mërkurë seanca është shtyrë për të enjten në orën 09:30, për shkak të ngarkesës së gjyqtares së caktuar.
Ai del përpara trupës gjyqësore pas disa ditësh nga aksidenti ndaj familjes Konomi, ndërsa prokurorja e çështjes mësohet se ka depozituar pranë Gjykatës kërkesën që Sulejmani të hetohet në masën e arrestit me burg pa afat.
Ajo që është mësuar deri më tani, nga rrëfimi i tij nga prokurori, është fakti që ai ka pretenduar se makinës së tij luksoze nuk i kanë punuar frenat në momentin që ka qenë në semafor dhe prandaj ka hyrë me të kuqe.
Gjithashtu , ai ka refuzuar të ketë ikur nga vendi i ngjarjes për t’iu fshehur Policisë, por për shkak se ka pësuar traumë nga fakti që në makinë ka pasur të bijën 5 vjeç.
Pretendimet e shkaktarit të aksidentit të rëndë shkojnë edhe më tej, kur i thotë prokurorisë se unë e telefonova vetë Policinë dhe iu tregova vendin ku isha dhe se Policia nuk e kishte arrestuar ashtu siç pretendohet prej tyre.
Referuar të dhënave policore bëhet me dije se mjeti me të cilin shkaktoi aksidentin e rëndë 39-vjeçari ende nuk ka kaluar në ekspertimin teknik dhe ende asnjë ekspert rrugor nuk ka dhënë version për atë çfarë vërtet ka ndodhur në atë moment në Rrugën e Kavajës, ku dy prindër që po kalonin ë vijat e bardha me foshnjën e tyre vetëm 3 muajshe, ku për fat, mjeti nuk e preku karrocën në të cilën gjendej vajza e çiftit Konomi, e për pasojë fëmija është në gjendje të mirë shëndetësore, ndryshe dy prindërve të saj, të cilët edhe pse kanë kaluar fazën e rrezikut për jetën vijojnë të jenë në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës.
DËSHMIA
“Në lidhje me aksidentin deklaroj se kam qenë me shpejtësi rreth 40 km në orë dhe përpara semaforit, sapo u bë i kuq, unë nisa të frenoj, por nuk më mbajtën frenat. Deklaroj në lidhje me largimin nga vendi i aksidentit se nuk kam pasur qëllim të iki, por duke qenë se ishte vajza ime e mitur u largova dhe bashkë me të kam shkuar në spitalin privat pasi vajza ime dhe unë ishim të traumatizuar nga ky aksident”, mësohet të ketë deklaruar Ajas Sulejmani për Prokurorinë.
Edhe pse pamjet e aksidentit tregojnë që mjeti në momentin që ka hyrë në viza të bardha ka qenë me të paktën 100 km në orë, Prokuroria ka regjistruar dhe dërguar në Gjykatë këtë dëshmi të autorit të aksidentit.
Por, Prokuroria pretendon se do ta hetojë Sulejmanin për një sërë akuzash, pasi sipas tyre aksidenti ndodhi në vijat e bardha të këmbësorëve, me semafor ndalues, e madje ai u largua edhe nga vendi i ngjarjes, duke lënë në vendin e ngjarjes mjetin e tij luksoz tip “Benz GClass” me targa gjermane bashkë me një njeri të afërt brenda.
Sulejmani u tha se u largua bashkë me vajzën e tij në krah se ajo ishte e sëmurë dhe duhej ta çonte në spital, por në prokurori ai ka dhënë version tjetër që lidhet me faktin se vajza e tij ishte traumatizuar dhe ndaj kishte vendosur të largohej nga vendi ku kishte lënë të plagosur rëndë burrë e grua dhe një fëmijë vetëm tre muajsh të hedhur në asfalt nga karroca që iu iku nga duart dy prindërve të aksidentuar.
Nuk dihet se cili është versioni i prokurorisë në lidhje me gjendjen në të cilën gjendej në momentin e përplasjes së familjes Konomi, ndonëse Policia e Tiranës zyrtarisht konfirmoi se Ajas Sulejmani ka qenë nën efektet e drogës në atë moment.
Madje sipas të dhënave, priten konkluzionet se çfarë lloj droge kishte përdorur shoferi i mjetit luksoz, të cilit nuk i kishin punuar frenat në momentin që ai ka tentuar të frenojë në semafor dhe as në vija të bardha.