Gjykata e Posaçme ka shtyrë ditën e sotme vendimin për ish-gjyqtaren e Krujës, Enkelejda Hoxhën, e cila akuzohet për korrupsion.
Shkak për këtë është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës. Vendimi do të jepet në seancën e ardhshme në 24 dhjetor 2021.
Enkelejda Hoxha u vu në pranga paraditen e 11 shkurtit bashkë me 9 persona të tjerë, në kuadër të një operacioni të mirëorganizuar nga SPAK, pasi ishte vënë në përgjim prej muajsh. Pikërisht më 11 shkurt, Hoxha, me skemën e përgatitur me ndihmën e bashkëpunëtorëve të saj, do të lironte të dënuarin për vrasje, Saimir Petani.
Gjyqtarja Enkelejda Hoxha akuzohet se ka marrë shuma nga 6 mijë deri në 12 mijë euro në këmbim të lirimit të të dënuarve për vrasje. Në skemë u zbulua edhe mjeku kardiolog Edvin Prifti pasi nga përgjimet rezultoi se kishte marrë ryshfet për të operuar në QSUT nënën e sekretares së gjykatës, Manuela Mallkuçi, por sot ai u la i lirë.
/Priza.al/