Zjarret në bashkinë Fier në fshatin Kreshoan, Cakran dhe në vendgrumbullimin e mbeturinave janë shuar pa dëme në njerëz dhe banesa pas operacionit 3-ditor.
Për 11 ditë rresht është punuar si nga toka dhe nga ajri në vatrën e Gadishullit të Karaburunit, e cila më në fund është izoluar në pjesën më të madhe të tij.
Ndërkohë vatra e zjarrit në “Qafa e Hartës” në Sarandë është shuar në një kohë rekord.
Janë shuar zjarret në Himarë, Kutal (Përmet), në Gjirokastër, ku në këtë të fundit pati një humbje jete.
Është shuar tërësisht edhe vatra e zjarrit në Kalis të Kukësit, i cili rrezikoi edhe banesat e zonës.
“Vazhdon lufta me flakët – Në këto momente Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes civile, nën koordinimin e AKMC janë duke punuar nga toka e ajri për izolimin dhe neutralizimin e flakëve në Karaburun, Rips (Vlorë), Gadurove-Selite (Mallakastër), Thirë (Lezhë), Margegaj, Theth (Tropojë), Vërmosh (Malësi e Madhe). Në të gjithë territorin në këtë moment nuk ka kërcënime në jetë dhe në banesa”, shkruan ministri i Mbrojtjes, Peleshi.
/Priza.al/