UEFA ka marrë ditën e sotme dy vendime të rëndësishme sa i përket mënyrës së organizimit të ndeshjeve të futbollit në një kohë pandemie. Mësohet se nga dita e sotme, UEFA ka vendosur që të heq kufizimin që ndalonte pjesëmarrjen më shumë se 30% të tifozëve në stadiume. E gjithë kjo vendimmarrje do u lihet në dorë autoriteteve lokale ose kombëtare. Lajmi u bë i ditur nga kreu i Federatës Shqiptare, Armand Duka, i cili njoftoi për vendimin e ri të dalë nga mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, e cila u bë online për shkak të pandemisë.
“Sot u miratuan një sërë vendimesh të rëndësishme që kanë impakt të menjëhershëm në futbollin europian, siҫ është pranimi i spektatorëve në stadiume, duke hequr kufizimin e pjesëmarrjes 30% që ishte vendosur nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s më 1 tetor 2020. Në të njëjtën kohë do të hiqet ndalimi për spektatorët që marrin pjesë në ndeshjet e futbollit. Vendimi për pjesëmarjen totale të lejuar të spektatorit do të jetë nën përgjegjësinë eksluzive të autoriteteve përkatëse lokale ose kombëtare. Në këtë vendim është ndaluar shpërndarja e biletave ose ftesave për tifozët udhëtues deri para finaleve të garave për klube të UEFA-s që do të zhvillohen në maj 2021”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Nga ana tjetër, për të mos ndikuar në ndeshjet e zhvilluara përgjatë këtij viti pandemik, do të vijojë që të qëndrojë në fuqi rregulli me pesë zëvendësime në një ndeshje. Ai do të jetë i vlefshëm edhe në kompeticionet e rëndësishme të kombëtareve, nga kampionati Europian deri te ai botëror.
“Një pikë tjetër e rëndësishme ishte zgjatja e afatit për rregullin e pesë zëvendësimeve në një ndeshje. Pas konfirmimit që ka dhënë Byroja e Këshillit të FIFA-s në 1 Tetor 2020 se ky rregull do të zbatohet gjithashtu në ndeshjet kualifikuese 2020-22 për Kupën e Botës FIFA 2022. Në këtë ndryshim përfshihet edhe UEFA Euro 2020 Qershor/Korrik 2021, finalet e UEFA Nation League në tetor 2021 dhe ndeshjet e Play off-it të UEFA Nations League në mars 2022”, përfundon njoftimi.
Më herët, ishte Britania e Madhe e cila mori vendimin për të rikthyer tifozët në stadiume, dhe me asnjë kufizim sa i përket numrit të të pranishmëve. Që më datë 17 prill në gjysmëfinalen Chelsea-Manchester City, si dhe më 18 prill në Leicester City-Southampton stadiumi do të mbushet plot, aq sa është kapaciteti i tyre.