Shumë shumë fjalë… por kosovarëve iu kërkohen të njëjtat dokumenta si aziatikët për tu punësuar në Shqipëri

Kriza e turizmit. Askush nuk e dëgjon ulërimën e operatorëve turistikë në Shqipëri.

Shqipëria, vendi ku turistët presin 20 minuta për një makiato.

Administratorët e godinave akomoduese në bregdet tregojnë vështirësitë që hasin dhe mungesës së madhe të mbështetjes për të ecur përpara me sektorin e turizmit në Shqipëri. Fakt është që i vetmi sektor që ka funksionuar në sajë të një bashkëpunimi Kosovë- Shqipëri ka qenë vetëm turizmi por edhe ai në saj të vullnetit të sektorit akomodues në Shqipëri dhe bashkëpunimit të pavarur krejt nga qeveritë e të dyja vendeve.

Është thënë shumë, janë hedhur shumë firma mbi copa letrash përballë kamerave. Dhe midis 13 marrëveshjeve që qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë firmosën në nëntor të vitit 2021 në Elbasan ishte edhe ajo për lehtësimin  e procedurave për marrjen e lejeve të qëndrimit në të dyja vendet dhe që do ndihmonte edhe sektorin e turizmit sidomos për punësimet sezonale. (3. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për lehtësimin e procedurave dhe kushteve për marrjen e leje qëndrimit të përkohshëm.)

Por a zbatohet ajo? Çfarë thonë administratorët e sektorit të akomodimit në bregdetin shqiptar dhe çfarë thonë drejtuesit e Odës ekonomike në Kosovë?

Nga intervistat për Priza.al del qartë se shtetasve kosovarë iu kërkohen të njëjtat dokumente si shtetasve aziatikë për të mundësuar punësimin. Drejtues të hoteleve më të mëdha në bregdetin shqiptar kërkojnë masa lehtësuese për kosovarët përfshirë dhe ata që vijnë për turizëm duke qenë që kanë qenë të vetmit që e kanë shpëtuar sektorin e turizmit nga ndonjë krizë e mundshme.

Nga vonesat në kufi, vështirësitë  për të marrë një leje pune apo pritjet për më shumë se 20 minuta në hotelet e bregdetit shqiptar për të pirë një kafe e më shumë për të konsumuar një vakt. Këto janë vështirësitë me të cilat përballen sot turistët kosovarë në Shqipëri.

Ruzhdi Kurtishaj i Odës Ekonomike në Kosovë tregon për Priza .al të gjitha vështirësitë që kosovarët hasin këtu qoftë për të pushuar apo edhe për t´u punësuar. Fakt është sipas tij që Kosova ka më shumë procedura të lehtësuara për bizneset e Serbisë sesa ato në Shqipëri.

Ruzhdi Kurtishaj kryetar i kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës

Kosovarët procedura për leje punësimi njësoj si aziatikët

-Pamë mbledhjen e përbashkët të dy qeverive por fatkeqësisht nuk pamë vendime konkrete që mund ti vijnë në ndihmë bizneseve dhe turizmit në përgjithësi. P.sh ne kemi propozuar me kohë një lehtësim punësimi sezonal nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas. Sot më të thjeshtë ose me procedura të njëjta e ka mundësinë të punësohet një i ri nga një vend tjetër në krizë nga vendet aziatike p.sh. sesa një kosovar. Dhe vështirësitë janë që nga leja e qëndrimit, leja e punës e të tjerë.

Shqipëria, vendi ku turistët presin 20 minuta për një makiato

Kurtishaj -Ka ikur koha e turizmit patriotik. Kosovarët kanë ardhur dhe e kanë shpëtuar turizmin në Shqipëri, por kjo nuk mund të vijoj kështu. Shqipëria duhet të vijoj të ofrojë kushte akomoduese për kosovarët dhe çmime të favorshme. Kosovarët vijnë dhe pak hotele i plotësojnë kushtet për të qenë hotele me 5 yje por hotelet e tjera kanë probleme që te shërbimi i dobët. Kosovarët ankohen se porosisin dhe presin 20 minuta për një kafe, ose presin gjatë për të konsumuar vaktin ushqimor. Kosovarët përballen me probleme që presin për të gjetur një çadër në plazh e pastaj në fund çadër nuk ka. Ka ikur koha kur kosovarët vijnë për patriotizëm tani Shqipëria duhet të ofrojë standarde.

-Ka probleme në rrugë. P.sh për të shkuar drejt Shëngjinit e Lezhës kosovarët mbesin me orë të tëra në trafik. Kjo duhet të marrë fund.

Kurtishaj: Radhët në kufi vijojnë

-Në kufi unë dje jam kthyer nga Shqipëria në Kosovë pas marrëveshjeve të fundit dhe mu desh përsëri të kaloja kontrollin kufitar. Marrëveshjet duhet të bëhen për tu zbatuar jo për show politik.

Më shumë lehtësi me bizneset serbe sesa ato shqiptare

Kurtishaj: -Vendimet dhe marrëveshjet e dy qeverive nuk e kanë ndihmuar turizmin. Ne kemi gjetur vetë rrugë bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe kjo është e dhimbshme. Kemi promovuar me kohë lehtësira por askush nuk dëgjon. Oda ekonomike e Kosovës do të ketë proces zgjedhor dhe uroj shumë që ai që do jetë në krye të marë vendime për të pasur prioritete bashkëpunimin me Shqipërinë jo me Serbinë. Është fakt me shifra që Kosova ka bilanc të lartë bashkëpunimi ekonomik me Serbinë. Nuk jam që të mos ketë bashkëpunim me të gjithë rajonin dhe BE por Shqipëria duhet të ketë prioritet. Nuk kemi pse shohim në maketet e Kosovës pije serbe dhe asnjë shqiptare ose anasjelltas në Shqipëri.

Dy vendet duhet të kenë shkollim të përbashkët profesional për të rinjtë. Mungojnë shërbimet, kamarierët, kuzhinierët etj. Ka një shërbim që lë për të dëshiruar në Shqipëri.

Kosovarët po përballen edhe me një rritje çmimi këtë sezon në Shqipëri por me ata që unë kam bashkëpunim që janë sisteme me 5 yje në Golem kanë bërë një rritje të papërfillshme.

Kosovarët gjithashtu duhet ti planifikojnë pushimet e tyre më herët jo ne momentin e fundit e pastaj të mos gjejnë vende në Shqipëri.

Jugu me problematikat më të mëdha

Kurtishaj: Në jug ka problematika p.sh që lidhen edhe me infrastrukturën rrugore. Presim në korrik të shkurtohet me një orë rruga për në Sarandë.

Po çfarë masash lehtësuese ka marrë qeveria shqiptare për t´i ardhur në ndihmë turizmit shqiptar? Asnjë paketë për këtë sezon njësoj si sezonet e tjera. Një masë lehtësuese e qeverisë së Malit të Zi dhe Serbisë orientoi shumë pushues drejt fqinjit tonë. Qeveria në Podgoricë e në Beograd vendosi të shpërblejë me 50 euro këdo turist që do shkonte në këto dy vende gjë që e orientoi kompaninë ajrore “Israir”, që do ofronte lidhje direkt me Shqipërinë nga Izraeli, të anulonte fluturimet e parashikuara për në vendin tonë e të planifikonte dy të tilla në javë për në Serbi dhe Malin e Zi. Të njëjtën praktikë ka edhe Egjipti që e aplikon me vendet e BE dhe më gjerë.

Ndërkohë që presidenti Serb Aleksandër Vuçiç sapo i ka njohur serbët me masën më të fundit për të shpërblyer 200 mijë pensionistët dhe të papunët për të bërë pushime në Serbi me një vlerë prej 15 mijë dinarë ose rreth 130 euro.

Fatos Çerenishti  Administraor i FAFA Resort vlerëson çdo marrëveshje që bëhet për ti dhënë një shtysë turizmit në vend përfshirë dhe lëvizjen pa pika kontrolli gjatë sezonit të verës. Pa këtë turizëm patriotik thotë ai industria e turizmit në Shqipëri do ishte në faliment.

-Qeveritë e dy vendeve Shqipëri dhe Kosovë kanë zhvilluar deri tani 8 mbledhje ku rezulton se janë firmosur mbi 150 marrëveshje. A keni gjetur në ndonjë nga këto marrëveshje një ndihmë sado të vogël që mund ti japë një tjetër rritëm sektorit të turizmit?

Çdo marrëveshje që lehtëson qoftë edhe lëvizjen e lirë i bën mirë turizmit pasi heq apo lehtëson barrierat kufitare, duhet theksuar pavarësisht marrëveshjeve turistët nga Kosova janë prezent gjatë gjithë vitit në Shqipëri dhe kjo është për tu theksuar dhe vlerësuar.

-Turizmi do  vizitorë e kur ata janë vëllezërit tanë të një gjaku sigurisht  që ne që me meremi me Turizëm. Ndiem mirë në radhë të parë për patriotizmin e treguar nga ata që lekët duan ti shpenzojnë brenda familjes së madhe të një gjaku dhe duke e vizituar shpesh bregdetin shqiptar bën që të stimuloj  investitorët të  kryejnë investime të  fuqishme në këtë industri.  Por dy vitet e fundit 2020 dhe 2021 ishin dy vite që industria e turizmit do ishte inegzistente pa shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë. Nuk do ia dilnim dot pa ata.

Çerenishti: Ministria e Turizmit veprime të ngadalta

3 –Ministria e Turizmit shpesh sidomos gjatë pandemisë kanë vepruar shumë ngadalë në krahasim me vendet e tjera siç ishte p.sh. lehtësimin e lëvizjes ku kërkoheshin certifikata vaksinimi në kufi ndërkohë që vendet e tjera i hoqën para nesh.

4 Ne nuk kemi patur traditë në këtë industri, kjo na ka penalizuar që të mos i kushtojmë rëndësi e duhur shërbimit. Por fakt është që ne nuk gjejmë punonjës të kualifikuar  dhe industria është ende larg standardeve që kërkon turizmi.

5 -Siç e dimë që turizmi është një biznes i ri për Shqipërinë. Edhe pse natyra dhe Zoti na ka bekuar me bregdetin e mrekullueshëm ende nuk e kuptojmë që punonjësit e shërbimit në  turizëm  mund të mbajnë familjen e të dalin në pension me këtë lloj profesioni, por vërej që ka një dëshirë nga studentët e turizmit por jo vetëm që të punësohen gjatë sezonit.

Çerenishti: Rritja e çmimeve, problem për këtë sezon

-Sektori po has shumë vështirësi përsa i përket rritjes së çmimeve. Deri në 40 %  janë rritur çmimet e ushqimeve, ndërkohë shumë nga hotelet i kanë  mbyllur kontratat me gjithë çmimet që një vit më parë, prandaj dhe ky vit do jetë nga më të vështirët e sezonit.

– Ky vit do të jetë shumë afër vitit më të mirë të turizmit 2019, përsa i përket turistëve që pritet të vijnë. Ka kërkesa nga tur-operatorët evropian, por duhet të themi që filloi pak vonë. Në ditët e para të qershorit filluan të vijnë grupet e para të organizuara, ndërkohë që ne i prisnim që në dt. 15 maj.

Turistët  më së shumti janë nga Polonia dhe vendet skandinave, por nuk mungojnë edhe çekë, gjermanë, shqiptarët e rajonit e të diasporës që kanë pronotuar përgjatë sezonit.

– Fakti që kanë kërkesë në rritje për hotelet tona tregon se janë brenda standardeve që ju kanë premtuar klientëve të tyre. Ne kemi shumë për të përmirësuar por nuk na mungon dëshira për ta bërë këtë gjë, dhe për këtë jemi koshient.

– Çdo vit ne ofrojmë falsitete për turistët. Përveç kuzhinës All Inkluzive live, kemi vënë në funksion SPA,  klubin e fëmijëve dhe një pishinë të re me kapacitet 200 persona e cila do të jetë kryesisht për familje me fëmije të vegjël.

A kërkojnë pushuesit e huaj plazhe nudo?

– Hotelet FAFA kanë strukturë për turistë familjarë.. Nuk jam kundra plazheve nudo por duan vende të përshtatshme për këta lloj klientësh.

Vasil Bedinaj, administrator i grupit të hotelerive Rexhina Group në Vlorë thotë se qeveria shqiptare të vetmin qëllim ka propagandën me foto në facebook.   Bedinaj ia përplas të vërtetën në sy edhe ministrisë së turizmit dhe qeverisë. Që nga biletat e shtrenjta të avionëve, trageteve që siç thotë ai kushtojnë sa një natë në hotel me 5 yje. Bedinaj paralajmëron një krizë në sektorin e turizmit që do nisë sipas tij që këtë sezon turistik.

Bedinaj: Radhët në kufi me Kosovën vijojnë

-Sektori i Turizmit ka ecur me vështirësi vitet e fundit me një kontribut të vetëm dhe të padiskutueshëm të qytetarëve nga Kosova. Derisa  ka radhë në kufi asnjë marrëveshje nuk vlen. Urojmë që të zbatohen e jo të ngelen në letra.

-Kosovarët pa diskutim që na duan më shumë. Ishin dhe janë ata që kontribuuan dhe vazhdojnë të kontribuojnë. Puna jonë është të bëjmë marketingun e duhur për bjeshkët e Kosovës dhe jo vende që ne shkojmë dhe ata as e njohin bregdetin tonë.

Bedinaj: Zyrtarët shqiptarë vetëm për foto në facebook

-Zyrtarët tanë janë për foto Facebook-u. Nëse organizojnë takime mendja e tyre është të promovojnë me foto aktivitetin dhe jo të zgjidhin problem ndryshe nga zyrtarët e Kosovës

Bedinaj: Ministria e turizmit asnjë broshurë për turizmin

Si mund të pretendojmë që MT punon kur një broshur apo material promovues nuk e kanë asnjë web e shumë të tjera.

Bedinaj: Fondi i turistit shpenzohet rrugës, bileta e tragetit sa hoteli

– Standartet, eksperienca, çmimet, taksat, politikat janë ato që shumë investitorë të huaj nuk vijnë në një vend që ofron turizëm kaotik ku minimumi nuk klasifikon shërbimin. Hotelet ku nuk ka një strategji afatgjatë dhe ku turisti e shpenzon fondin e pushimeve që rrugës. Bileta e tragetit kushton më shumë se një dhomë hoteli, aeroporti që nuk josh operatorët e mëdhenj, ku burimet njerëzore mungojnë dhe ata që janë largohen në momentin më të parë dhe kjo jo nga kushtet e punës por nga pasiguria e ndërtimin të jetës këtu…..

Bedinaj: 2022 fillimi i krizës në turizëm

– Ky vit është vetëm fillimi i problemit të madh dhe së shpejti ky problem do të kapi dhe administratën. Shumë  punonjës po afrohen te privati dhe po lënë zyrat. Do kemi një super vit të vështirë dhe zgjidhjen na takon ta bëjmë ne dhe ajo do të jetë me punonjës të huaj.

Në luftë disa pasurohen dhe disa varfërohen. Çmimet e lëndës së parë janë rrit 35-40% që nga veza e deri te klori …..

Bedinaj: Urbanët në Vlorë mbeten rrugës si në vendet e botës së tretë

Problem kryesor është transporti urban. Qytete si Vlora ju mungon totalisht. Turisti shpenzon ose nuk e ka mundësinë të lëvizi me taksi. Vazhdojmë si në vendet e treta me urban që ngelen rrugës, pa orare. Ka kosto shtesë për çdo turist dhe nëse i mbledhim këto dalim më shtrenjtë se rajoni. Priza.al

*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *