Si bëhej plazh në kohën e Ahmet Zogut dhe të Enver Hoxhës

‘OLD, BUT GOLD’ nga ROLAND QAFOKU

Teksa shullohemi për orë të tëra në shezlong nën hijen e çadrës dhe teksa lahemi në detin e paanë, nganjëherë mendojmë se vetëm brezi ynë e shijon këtë të mirë të Zotit dhe natyrës që ka Shqipëria. Por jo, gabohemi rëndë. Shqiptarët e kanë shfrytëzuar këtë dhuratë të Zotit ndër dekada dhe shekuj. Përgjatë historisë 111-vjeçare të shtetit shqiptar, trekëndëshi plazh, rërë, det janë shfrytëzuar në forma dhe mënyra të ndryshme. Pak e dinë që në Shqipëri bëhej plazh edhe para një shekulli, por gjatë mbretërisë së Ahmet Zogut ai u kthye jo vetëm në një rit, por edhe një modë e shtresës së pasur që kishte nisur të formohej në atë kohë. Për priza.al po sjellim sot nëpërmjet fotografive të rralla pamje të fiksura gjatë dy regjimeve, ai gjatë mbretërisë së Ahmet Zogut dhe gjatë sistemit komunist të Enveri Hoxhës, që tregojnë jo vetëm mënyrën se si bëhej plazh por edhe evoluimin e tij.

1. Durrës, vitet ’30-të. Vila të sapondërtuara në plazhin e Durrësit.
1. Durrës, vitet ’30-të. Vila të sapondërtuara në plazhin e Durrësit.

Fotoja 1 është vërtetë unikale. I përket viteve 30-të dhe është në plazhin e Durrësit. Shikojmë vila të reja të ndërtuara gjatë bregdetit sapo mbaron brezi i rërës. Të dhënat na tregojnë se janë të gjitha shtëpi pushimi private të kastës së borgjezisë të sapokrijuar në vendin tonë. Politikanë, mes tyre ministra dhe zyrtarë të rangjeve të larta, tregtarë dhe ushtarakë me grada të larta, nisën të ndërtojnë shtëpi pushimi përgjatë bregut të Durrësit.Të gjitha këto vila patën fatin e keq që u shfrytëzuan shumë pak vite prej pronarëve sepse me instalimin e komunizmit ato u shtetëzuan dhe u përdorën po për shtëpi pushimi për masën e njerëzve.

2. Shkëmbi i Kavajës, 1930. Mediha Frashëri dhe Shehnisha Libohova, vajza e kryeministritMehdi Frashëri dhe vajza e kryeministrit Ekrem Libohova, duke shëtitur në plazh.
2. Shkëmbi i Kavajës, 1930. Mediha Frashëri dhe Shehnisha Libohova, vajza e kryeministrit Mehdi Frashëri dhe vajza e kryeministrit Ekrem Libohova, duke shëtitur në plazh.

Fotoja 2 i përket verës së vitit 1930. Nga pamja dallohet qartë që është pranë Shkëmbit të
Kavajës dhe në të janë dy vajza me një qen. E para quhej Mediha Frashëri, vajza e kryeministrit Mehdi Frashëri dhe e dyta Shehnisha Libohova, vajza e kryeministrit Ekrem Libohova.Të dyja studente jashtë Shqipërisë janë duke shijuar pushimet verore ndanë detit Adriatik dhe në sfond dallohet qartë një shtëpi pushimi madje edhe një pistë e futur në det. Kjo foto tregon se Shqipëria kishte marrë zhvillim edhe në një element si plazhi dhe pamja e vajzave nuk ndryshon shumë me moshataret e tyre nëpër Evropë.

3. Plazhi i Shëngjinit, 1930. Një vajzë duke marrë rreze dielli.
3. Plazhi i Shëngjinit, 1930. Një vajzë duke marrë rreze dielli.

Fotoja 3 i përket po vitit 1930 dhe është e dinastisë Marubi. Jemi në plazhin e Shëngjinit dhe për elementët që mbart është historike. Në të shfaqet një vajzë e panjohur, e cila është duke shijuar rrezet e dielli në plazh. Por elementi më i rëndësishëm është “çadra” që është duke përdorur vajza. Një shezlong dhe çadër në një të vetme duket që është një prodhim artizanal me thupra dhe mund të quhet një tjetër revolucion për kohën. Vajza e veshur me rroba banjo që sot mund ta marrin për murgeshë, i kanë dalë në dritën e diellit vetëm krahët dhe këmbët nga gjuri e poshtë. Në atë kohë edhe në Evropë nuk lejohej ekspozimi më shumë se sa kaq, e jo më në Shqipëri. Megjithatë, fotoja ka vlerë të madhe për historikun e plazhit. Vajza duket që i përket shtresës së pasur, ndërkohë, në foto është fiksuar dhe një burrë që ecën bri detit, por që nuk dallohet mirë nëse është duke parë objektivin e aparatit, apo vajzën e bukur që merr rreze dielli.

4. Plazhi i Durrësit, 1934. Një familje e pasur pushon në breg të detit.
4. Plazhi i Durrësit, 1934. Një familje e pasur pushon në breg të detit.

Fotoja 4 i përket verës së vitit 1934 dhe jemi në plazhin e Durrësit. Edhe kjo foto rikonfirmon se plazhi në ato vite nuk ishte herezi dhe i ndaluar. Në të janë fiksuar pjestarë të një familje, tre vazja dhe një djalë bashkë me qenin e tyre. Janë ulur ndanë rërës së bregut të detit dhe po marrin rreze dielli pa rroba banjo që ne veshim sot. Duket një familje e pasur për nga veshja dhe pamja dhe po shijojnë të shpenguar pushimet.

5. Mbreti Zog 1930 duke marrë rreze dielli në pistën personale në Durrës.
5. Mbreti Zog 1930 duke marrë rreze dielli në pistën personale në Durrës.

Fotoja 5 është edhe më simbolike. Ajo është përgjigja e e pyetjes përse gjatë kohës së mbretërisë së Ahmet Zogut shqiptarët nisën të bëjnë plazh. Në të shfaqet vetë mbreti Zog në Durrës, një mini-pistë personale futur në det ai është i shtrirë duke marrë rreze dielli. Mbreti shfaqet me rroba banjo të stilit të kohës së vet dhe është i shtrirë sa gjatë gjerë në një pozicion vërtët të rrallë. Të paktën nga ajo që shikojmë mund të mburremi se paskemi patur një mbret me trup plot muskuj dhe me elegancë të admirueshme edhe për sot. E pra, teksa mbreti shullohej në plazh, nuk kishte se si edhe shqiptarët mos ta kopjonin. Ishte vërtetë revolucion.

6. Plazhi i Durrësit, vitet ‘60-të. Një familje pushon në breg të detit.
6. Plazhi i Durrësit, vitet ‘60-të. Një familje pushon në breg të detit.

Fotoja 6 i përket viteve 60-të dhe është po në plazhin e Durrësit. Jemi gjatë regjimit komunist dhe në të shfaqet një familje që merr rreze dielli. Duhet thënë se gjatë kësaj kohe plazhi u masivizua. Gjatë pushimeve vjetore dy javore në plazh mund të shkonin që nga politikanë, drejtues, e deri te punëtorë të thjeshtë. Revolucion në këtë foto është çadra dhe rreh saj grumbullohej familja. Mbështetur edhe në modelin e Bashkimit Sovjetik por edhe në vende të tjera të kampit komunist, u shtuan numri i shqiptarëve që bënin plazh.

7. Plazhi i Durrësit 1980. Përveç frekuentimit të rërës, tashmë në breg të detit ka edhe hotel.
7. Plazhi i Durrësit 1980. Përveç frekuentimit të rërës, tashmë në breg të detit ka edhe hotel.

Fotoja 7 është përsëri në Durrës dhe jemi në verën e vitit 1980. Dallojmë qartë se përveç
frekuentimit të zonës së rërës, tashmë kemi edhe objekte shërbimi si ky këtu që duhet të jetë një nga hotelet e asaj kohe ndanë detit.

8. Plazhi i Durrësit 1981. Banjot e diellit janë bërë masive gjatë regjimit komunist.
8. Plazhi i Durrësit 1981. Banjot e diellit janë bërë masive gjatë regjimit komunist.

Foto 8 është edhe më përfaqësuese. Jemi në vtitin 1981 dhe plazhi duket i masivizuar gjerësisht. Ka prapambetje të theksuar me mënyrën se si bënte plazh Evropa, por në Shqipëri mjaftonte një palë rroba banjo dhe plazhin mund ta bënte kushdo. Në një ditë të dielë në Durrës, mësynte pothuajse e gjitha Tirana. Shteti i asaj kohe kishte vendosur një tren ekspres vetëm për plazhistët që shkonin në mëngjes në Durrës dhe ktheheshin më mbrëmje dhe e vetmja ditë pushim e javës në atë kohë quhej për banorët e Tiranës si e diela e plazhit.

9. Kampi i pionierëve “Qemal Stafa” në Durrës, 1980.
9. Kampi i pionierëve “Qemal Stafa” në Durrës, 1980.

Fotoja 9 është simbolike që në plazh fëmijët i gëzoheshin si në asnjë periudhë tjeter rërës,
rrezeve të diellit dhe ujit të detit. Kjo është një fotografi e shkëputur nga një revistë e kohës në vitin 1980 dhe në të shfaqen fëmijë të moshës 10-12 vjeç në kampin e pionierëve “Qemal Stafa” në Durrës. Në rërë, në det dhe duke qeshur, propaganda e kohës i reklamonte këto pamje për të marrë me mend se sa të gëzuar ishin fëmijët. Dhe më mirë se në plazh kjo “lumturi” nuk mund të shfaqej në ndonjë vend tjetër.

10. Enver Hoxha në vitet 60-të me rroba banjo në Vlorë.
10. Enver Hoxha në vitet 60-të me rroba banjo në Vlorë.

Fotoja 10 shfaq dikatorin Enver Hoxha gjatë pushimeve të verës. Jemi në vitet 60-të dhe me rroba banjo ai është duke u bërë gati të futet në një pishinë që mendohet se është në shtëpinë e pushimit qeveritar në Vlorë. Hoxha nuk e ka preferuar shumë detin si Ahmet Zogu, por më shumë pushonte pranë ujrave të ëmbla si në këtë foto. Ai në të shumtën e rasteve ka pushuar në Pogradec, qytet që njihet për një klimë të freskët në verë. Ndërsa populli i ishte qepur mirë detit ndryshe nga modeli që shfaqte vetë diktatori Hoxha.

 

* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *