Për shkak të emetimeve të shfrenuara të gazeve serrë, planeti ynë po përjeton një krizë klimatik serioze. Ne ende kemi akull nga periudhat më të ngrohta të Pleistocenit, edhe pse temperatura e globit po i afrohet niveleve më të ngrohta të Pliocenit 3 milionë vite më parë.
Ndërkohë, niveli aktual i dioksidit të karbonit(CO2), është i ngjashëm më atë në periudhën midis Pliocenit dhe Miocenit rreth10 milionë vite më parë, teksa rrezikojmë te kemi një epokë të re Eocenike të temperaturave shumë të larta, e cila nuk është parë në 40 milionë vjet.
Në një moment, kjo krizë do të kalojë në një ekuilibër të ri. Por kur do të ndodhë kjo? Dhe si do të duket ky ekuilibër? Pjesa më e madhe varet nga ne njerëzit, bazuar tek ajo se sa shpejt do të arrijmë të zerojmë emetimet e gazeve serrë.
Por nga ana tjetër varet gjithashtu nga sa planeti ynë është“i ndjeshëm” ndaj gazeve serrë, dhe sa shpejt reagon ndaj ndryshimeve. Zbulimi i ndjeshmërisë së planetit tonë ndaj gazeve serrë, është dokumentuar nga shkencëtarët që nga vitet 1970, por vendet i kanë rezistuar me kokëfortësi përpjekjeve për t’i kufizuar këto emetime.
Nëse dyfishohen nivelet e CO2, mund të kemi një rritje temperaturash në nivelin 1.5 deri në 4.5° C. Ky është një diapazon i gjerë, dhe ka të ngjarë që ne të dyfishojmë nivelet para industriale të CO2 brenda këtij shekulli, ndonëse duam të shmangim ngrohjen mbi nivelin 2°C.
Një pjesë e pasigurisë që kemi mbi këtë çështje, buron nga fakti se instrumentet tona arrijnë të gjurmojnë vetëm një pjesë të shkurtër epokës me klimë të ftohtë që kemi lënë pas. Deri në vitin 2100, temperaturat globale mund të rriten midis 2.7-3.6°C krahasuar me epokën para industriale.
Ky temperaturë do të jetë më e lartë sesa gjatë gjithë Holocenit, periudha gjeologjike që nga akullnajat e fundit, në të cilën lulëzoi shoqëria përmes bujqësisë, qyteteve dhe industrisë.“Po flasim për një ngrohje të ngjashme me epokën e Pliocenit”-thotë dr.Xhesika Tiernej e Universitetit të Arizonës.
Gjatë Pliocenit, paraardhësit tanë ishin australopitekët, të cilët nuk ishin ende plotësisht të gatshëm të jetonin larg pyjeve. Shumica e akullit që ndodhet aktualisht në Grenlandë dhe Antarktidën Perëndimore nuk ishte aty, dhe nivelet e detit ishin midis 5-25 metra më të larta se sa në vitin 1900.
Ndërkohë gjatë epokës akoma më të ngrohtë të Miocenit, paraardhësit tanë ishin ende majmunë, nivelet e detit ishin ndoshta 48 metra më të lartë, dhe pjesë të Antarktidës ishin të pyllëzuara. “Klimat e epokave të lashta, janë konteksti ynë i vetëm mbi atë se si mund të jetë një Tokë më e ngrohtë”- shton Tirnej.
Meqë në atë kohë nuk kishte termometra apo spektroskopë me rreze infra të kuqe, shkencëtarët përdorin matjet indirekte apo objekte“përfaqësuese”, që e ndryshojnë përbërjen e tyre kimike, izotopike ose fizike, në proporcion me ndryshimet në temperaturë, nivelet e CO 2 apo edhe reshjet.
Vlerësimet për temperaturat gjatë Eocenit ndryshojnë shumë. Dihet që ajo ka qenë një nga periudhat më të nxehta të historisë së planetit tonë, me kushte që mendohet se përputhen me të ardhmen tonë në një klimë ekstreme. Por vlerësimet sesa më shumë nxehtë ishte në krahasim me epokën tonë para industriale variojnë nga 9 në 23°C.
Dr.Gordon Inglis i Universitetit të Sauthemptonit në Angli, analizoi me kujdes me ndihmën e kolegëve një koleksion të madh objektesh “përfaqësuese”. Vlerësimi i ekipit mbi temperaturat e hershme të Eocenit, sugjeron se ajo epokë ishte midis 10-16°C më ngrohtë, se sa epoka para industriale.
Por ndryshe nga sot, Plioceni, Mioceni dhe pjesa më e madhe e Eocenit nuk ishin klima që u shfaqën shumë shpejt në kohë. Përkundrazi, ato ishin rezultat i miliona viteve përshtatjeje,dhe kur emetimet vullkanike të CO2 balancoheshin nga “varrosja” e CO2 nën Tokë.
Bimësia, akulli dhe temperaturat, ishin të gjitha në harmoni me nivelet e CO 2 dhe ndikimin periodik të lëkundjeve orbitale që pësonte Tokas. Klima jonë ka sot më shumë të përbashkëta me ndryshimet e dikurshme të CO2, të shkaktuara nga emetimet jashtëzakonisht të mëdha vullkanike.
Një shembull relativisht i moderuar është Maksimumi Termik Paleocen-Eocen (PETM), 56 milionë vjet më parë, kur gjatë disa mijëvjeçarëve në atmosferë, vërshuan sasi të mëdha të CO2 dhe gazit metan, duke e ngrohur globin me 5°C shtesë.
Ajo ishte një kohë që të kujton atë të sotmen, me acidifikimin e oqeanit, detet e “uritura” për oksigjen, zhdukjet e specieve dhe përmbytjet e mëdha. Ngrohja globale aktuale, po prodhon tashmë një mot ekstrem të paprecedentë:rrebeshe të forta shiu, valë të gjata të të nxehtit ekstrem, thatësira dhe zjarre, të cilat pritet të përkeqësohen.
Kjo është ajo që ne shohim edhe në klimat e dikurshme. Nga këto më e frikshme është rritja e nivelit të deteve. Nëse do të kemi një situatë të ngjashme si në epokën e Plioceni, niveli i deteve do të jetë rreth 5-25 metra më i lartë mbi nivelin aktual, gjë që do të sillte përmbytjen e pjesës më të madhe të bregdetit lindor të SHBA-së.
Sesa kohë do të duhet që të mbërrihet në këtë pikë, kjo do të varet nga fakti nëse akujt do të shkrijnë ngadalë apo me shumë shpejtësi. Në rastin e parë, nëse e dalim rritjen deri në 2°C, do të kemi një rritje afro 50 centimetra të nivelit të detit deri vitin 2100. Mjerisht, nivelet do të rriten për disa mijëvjeçarë, derisa të arrijnë një nivel 8-13 metra më të lartë si në epokën e Plioceni brenda 10.000 vjetësh.
/Burimi: ArsTechnica – Bota.al/