Si i kanë mashtruar qytetarët europian Call-Centerat shqiptarë/ Bie në pranga edhe administratori izraelit. Kishte zhvatur miliona  

Shqiptarët mund të mashtrohen gjatë gjithë kohës si popull, por kur vjen fjala për qytetarët europianë, kjo gjë e ka një kufij. Ka qenë pikërisht ky kufi, ai që ka vënë në lëvizje institucionet ligj-zbatuese të disa shteteve europiane, që të detyrojnë institucionet shqiptare të vihen në lëvizje.

Kjo për shkak se Shqipëria ka të paktën dy dekada që është bërë një “parajsë” e mashtruesve të skemave të ndryshme, ndër të cilat edhe Call-Centerat mashtrues dhe zhvatës.

Si rrjedhojë e gjithë kësaj, sot Policia e Shtetit dhe Prokuroria pas disa kohësh punë kanë finalizuar një operacion të gjerë në shkallë vendi. Për pasojë, është vënë në pranga shtetasi izraelit Rafael Genish, pronari i një “Call Center-i” në Tiranë.

Ai u prangos në kushtet e flagrancës nga policia e Tiranës, me akuzën e mashtrimit kompjuterik të të huajve nga kryeqyteti shqiptar.

Ndërkohë që janë arrestuar edhe 20 persona të tjerë, nga 60 që u shoqëruar ditën e djeshme.

Janë më shumë se 2400 shtetas të huaj që kanë rënë pre e mashtrimit, me premtimin e investimit në bursë, dhe i është shkaktuar dëm deri në disa miliona euro.

2400 ankesat kanë mbërritur nga autoritete gjermane, franceze dhe italiane.

Prokuroria dyshon se është krijuar një skemë mashtrimi nëpërmjet programeve dhe platformave si “Forex”, viktima të së cilës kanë qenë shtetasit e huaj.

Sipas Prokurorisë, rrjeti i “Call Centrave” që operonte në Shqipëri e kryesisht në Tiranë, ishte bërë pjesë e një skeme mashtrimi në shumë vende të Evropës, ku “pre” kanë rënë mijëra qytetarë evropianë.

Atyre i është kërkuar që të investojnë në bursë, e teksa kanë kryer këtë veprim duke disbursuar shuma parash nga llogaritë e tyre, paratë u janë zhdukur.

Denoncimet kanë qenë të shumta, si nga autoritetet ndërkombëtare, por edhe nga qytetarët shqiptarë, të cilët janë prekur nga ky mashtrim.

Po sot një 38-vjeçar i shpallur në kërkim për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Fshehja e të ardhurave” është arrestuar nga policia e Shkodrës.

Blutë bëjnë me dije se në kuadër të operacionit policor të koduar “North Forex“, u bë arrestimi i shtetasit K.M., 38 vjeç, banues në Tiranë.

Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, më datë 21.11.2021, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë ‘‘Arrest në burg“, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Më herët, në kuadër të këtij operacioni të zhvilluar nga strukturat e DVP Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë “C” për Hetimin e Krimit Kibernetik në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, janë vënë në pranga 9 persona të cilët kishin krijuar një skemë mashtrimi kompjuterik nëpërmjet programeve dhe platformave të ndryshme si “Vicidial”, “Forex” dhe “Exchange”, në dëm të shtetasve të huaj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *